Një muaj paraburgim për gjilanasin që shkaktoi dhunë në familje

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet N.S.,.

Lajme

28/01/2020 16:08

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit N.S., i cili kishte shkaktuar dhunë në familje, përkatësisht ndaj bashkëshortes së tij F.B.,.

Sipas njoftimit i pandehuri të njëjtën ditë ka pasur një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan, për shkak të një vepre të mëhershme penale dhunë në familje, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë, pasi që nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës, shkruan lajmi.net.

Njoftimi i plotë i gjyaktës pa ndërhyrje:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit N. S.

Gjilan – 28.01.2020 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit N. S.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 27.01.2020, rreth orës 08:00 minuta, tek zyrat e Kompanisë “AR Katana” ShPK në Gjilan me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja tani e dëmtuara F. B. ka shkaktuar dhunë në familje, përmes dhunës psikologjike në kundërshtim me nenin 2 nënparagrafin 3 të Ligjit për Dhunë në Familje.

I pandehuri të njëjtën ditë ka pasur një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan, për shkak të një vepre të mëhershme penale dhunë në familje, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë, pasi që nuk i është përgjigjur ftesës së Gjykatës.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 paragrafi i lidhur nënparagrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të lihet në liri mund të përsërisë veprën penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/