Një mërgimtar nga Zvicra ndërton fabrikë të ujit në Kërçovë

Fabrika do të ndërtohet në vendin Bigor, në afërsi të Kërçovës, në Maqedoni, kurse investitor është kompania “Uska-Gara”, të cilën e menaxhon afaristi Mefail Ibishi.

Lajme

18/01/2015 15:59

Në Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë të premten përfaqësues nga firma “Uskana-Gara”, në mënyrë solemne kanë nënshkruar kontratën për marrjen me koncesion të lokalitetit Bigor- Kërçovë, me qëllim të hapjes së një fabrike për ambalazhimin e ujit.

“Investimin në këtw projekt e bën Mefail Ibishi, kurse pjesë e suksesit është edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili me shumë sinqeritet dhe pa rezerva na ka përkrahur në hapin tonë deri në arritjen e nënshkrimit të kësaj kontrate me Ministrinë e Ekonomisë”, thuhet në njoftimin e firmës Uskana-Gara. transmeton Albinfo.ch.

“Sigurisht që kjo përpjekje e kryetarit të Komunës së Kërçovës dhe Mefail Ibishit do të kontribuojë sadopak në zhvillimin ekonomik si dhe nw zbutjen e papunësisë, mbase ky projekt fillimisht do të punësojë afro 30-40 kuadro të reja. Me shpresë që nisma jonë do të ecë me hapa gjigantë dhe do të stimulojë edhe investitorë të tjerë, të cilët me kapitalin e tyre do të gjallërojnë Kërçovën dhe të ndalin emigrimin e të rinjve”, thuhet më tutje në njoftimin e firmës Uskana-Gara.

Ky është investimi i tretë i biznesmenëve të Kërçovës që punojnë jashtë vendit. Investimi i Mefail Ibishit vjen pas ndërtimit të një fabrike për prodhimin e dyerve dhe dritareve dhe fabrikës së biogazit, e cila pritet së shpejti të fillojë punën, po ashtu investim i afaristit nga Zvicra, Faik Sherifi.