Një herë flet Agim Bahtiri
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbetur i palëkundur në vendimin e tij për shkarkimin e gjysmës së drejtorëve të drejtorive komunale, përfshirë edhe dy drejtorë të subjektit të tij politik (AKR), Besim Beka (Drejtoria e Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës) e Nexharije Islami - Pllana (Drejtoria e Shëndetësisë), përkundër reagimeve të shumta, por edhe të lutjeve edhe të subjekteve politike, por edhe të vetë drejtorëve të shkarkuar.

Lajme
Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, Nexharije Islami – Pllana, e cila ndonëse është shkarkuar nga kryetari Bahtiri, ka pritur në një takim zëvendësministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Izet Sadiku, ka qenë e para që ka kërkuar nga Agim Bahtiri ta rishqyrtojë vendimin e tij për shkarkimin e saj. Por, siç ka mësuar gazeta, Bahtiri ka qenë kategorik që edhe ajo të shkojë.
Mësohet në ndërkohë, se kryetari i Mitrovicës, ia ka parë për të madhe drejtoreshës Islami-Pllana për skandalin e krijuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, kur ajo ishte përpjekur ta shkarkojë drejtorin e QKMF-së, Fevzi Sylejmani, e që shumëkush në Mitrovicës kishte vlerësuar se ajo këtë e bënte për t’iu hakmarrë, për faktin se ajo më përpara punonte mjeke në QKMF, ku drejtor ishte Fevzi Sylejmani. /Zëri