Një hap para njohjes? Kryediplomati grek viziton sot Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias të mërkurën viziton Kosovën.

Lajme

08/06/2022 07:42

Kryediplomati grek do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani përgjatë pasdites.

Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media bëri të ditur se takimi do të fillojë në orën 15:00.

Kjo do të jetë vizita e tretë e Dendias në Kosovë brenda tri vitesh.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias më 4 qershor 2021 tha në Prishtinë se e përkrah liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë, pas një takimi që e kishte zhvilluar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beograedit dhe u bëj thirrje të gjtha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane”, kishte deklaruar Dendias.

Ai pati përmendur mes tjerash edhe se Greqia është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën, derisa e kishte theksuar edhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Europës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të libralizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, kishte deklaruar ai.