Një dritare më pak për të pagjeturit

Mbyllet Zyra e Komisionit Ndërkombëtar në Prishtinë për Personat e Pagjetur. Kjo ka indinjuar familjarët e personave të pagjetur në Kosovë, të cilët vazhdojnë të jenë një plagë e hapur për shoqërinë.

Lajme

10/09/2013 11:59

Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur ka vlerësuar se mbyllja e Zyrës po ndodh në një kohë të papërshtatshme, në kohën kritike, kur procesi i identifikimit dhe gjetjes së 1726 personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës është futur në krizë të thellë.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona e Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka bërë thirrje që kjo zyrë të mos mbyllet, por të vazhdojë të mbetet e hapur.

“Ne do t’ia drejtojmë një kërkesë komisionint ndërkombëtar që ta ketë parasysh që kjo zyrë të vazhdojë të mbetet e hapur. Kontributi i këtij komisioni ka qenë i madh për Kosovën, pasi që të gjitha analizat e AND-së janë bërë pa pagesë.”

“Mendoj, që duhet të jetë patjetër temë e veçantë çështja e të pagjeturve në bisedimet me Serbinë. Vazhdimisht kemi kërkërkuar nga kryeministri, vazhdimisht na është thënë se do të jetë  çështje në kuadër të bisedimeve”.

Koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukruve, Haki Kasumi, ka thënë se mbyllja e kësaj zyreje është lajm i hidhur për familjarët e të pagjeturve.

“Është  lajmi më i hidhur për këta familjar të cilët ishin në vlug të punës së përgatitjes së kërkesave për të shtuar kapacitetet e Komisionit Ndërkombëtar për persona të zhdukur si hallkë në procesin e hulumtimit dhe gjetjes dhe identifikimit të njerëzve të pagjetur”.

“Mbesim në qëndrimin që sot i’a kemi drejtuar qeverisë, jo të reduktohet numri dhe të mbyllet zyra, por të shtohet numri i punëtorëve  të Komisionit për Persona të Pagjetur  ngase është një prej faktorëve ndërkombëtar  në identifikimin e njerëzve të cilët po i kërkojmë tash e 14 vjet.”