Një Bill Clinton më të Madh

Partia e Fortë kalon kufijtë lokalë të preokupimit. Sot e trajtoi një personalitet të përmasave globale. Premtoi zmadhim të shtatores së ish Presidentit të SHBA’ve, Bill Clinton.

Lajme

12/10/2013 15:00

Partisë së Fortë nuk i mjafton që ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bën roje sheshit me të njëjtin emër në Prishtinë.

Duke qenë President i shtetit më të fortë në botë, paraqitja e një shtatoreje të tyre duhet të jetë gjithsesi në përputhje me epitetin.

Prandaj, kjo parti sot ka prezantuar një projekt tjetër të fortë. Shtatore të presidentëve të SHBA’ve nëpër rrugët e frekuentuara të Prishtinës dhe jo vetëm.

“Për të treguar respekt ndaj miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne do ta vendosim nga një shtatore të secilit president të SHBA-ve në pikat kryesore të qytetit përfshirë zmadhimin dhe vjetërsimin e shtatorës aktuale të Presidentit Bill Klinton”, ka thënë Nënkryetari i Partisë së Fortë, Dren Maliqi, duke bërë shpalosjen e projekteve kulturore që kanë për qëllim respektimin e miqve dhe figurave të ndritura për popullin e Kosovës.

Ndërsa Kryetari Lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, duke folur për planet kulturore për Prishtinën tha se kjo parti ka një projekt themelimin e Galerisë së Premtimeve të Mbajtura.

Kjo Galeri, sipas lexhendarit, do të përmbajë një ekspozitë permanente të premtimeve që gabimisht mund të mbahen nga ndonjë individ, biznes, organizatë apo subjekt politik.

Ndërkaq duke folur për akuzat e Komunës së Prishtinës për kopjim të projekteve, kryetari Arifaj ka thënë se të gjitha projektet e Partisë së Fortë janë origjinale.

“Nuk është e vërtetë që kemi kopjuar ndonjë plan nga Komuna e Prishtinës. Të gjitha planet janë origjinale. Plani jonë për të krijuar pistën e Formula 1 është përpiluar nga ekspertët dhe është në tërësi e zhvilluar nga ne. Por, ne për dallim nga komuna, i lejojmë dhe i inkurajojmë të gjithë ta kopjojnë këtë plan dhe planet tjera. Sepse ne i përmbahemi parimeve të informatave të hapura dhe open source,” ka thënë Arifaj.

Projekte si modifikimi i Sahat Kullës “Rita Ora”, vjetërsimi dhe modernizimi i objekteve kulturore ekzistuese, themelimi i shpellave dhe trashëgimisë kulturore neolitike, si dhe projekte tjera të ngjashme janë cekur të gjitha si prioritete në programin e qeverisjes lokale të Partisë së Fortë.