Të Infektuar: 18.345

Të Shëruar: 15.198

Të Vdekur: 669

Një anëtar jeton me 40 cent në ditë/ Rrititet numri i familjeve në asistencë sociale këtë vit

21:03 | 11 Tetor 2020

Mitrovica është qyteti me më së shumti raste sociale në Kosovë, ndërsa numri i familjeve në asistencë sociale është rritur këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.

Në dhjetor të vitit 2019 në Kosovë ishin saktësisht 24,352 familje në asistencë sociale sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me gjithsej 98,756 anëtarë të familjes, shkruan lajmi.net.

Ndërsa, këtë vit numri është rritur. Në muajin shtator, aktualisht në Kosovë figurojnë të jenë 24,496 familje në asistencë sociale me numrin total të anëtarëve të familjeve prej 98,990.

Kjo është një rritje e lehtë e familjeve në asistencë sociale, krahasuar me vitet 2018, 2017, 2016 e 2015 kur ky numër ishte për tre vite rresht mbi 26 mijë familje – e kulmin e kishte arritur në vitin 2016 me 26,302 familje.

Mitrovica është qyteti me më së shumti familje në asistencë sociale. Në këtë qytet janë saktësisht 2263 raste sociale ose 774 raste më shumë se në Prishtinë që është qyteti i dytë me radhë, por marrë parasysh numrin e banorëve, atëherë i bie shumëfish më tepër.

Komuna e Mamushës(19), Parteshit(51) dhe Junikut(57) kanë më së paku raste të familjeve në asistencë sociale, të ndjekura më tej nga Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Shtërpca dhe të tjera.

Lidhur me kategoritë shoqërore të cilat bëjnë pjesë në rastet sociale në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale shpjegohet qartë se: Sipas Ligjit bazë, Nr.2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, dhe Ligjit Nr.04/L-096 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, për të realizuar të drejtën në ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, përjashtimisht edhe shtetasit e huaj të cilët: kanë leje qëndrimi, personat në cilësinë e azilkërkuesit, personat në cilësinë e refugjatit dhe personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese) dhe t`i plotësojnë kushtet për kategorizim në njërën prej kategorive vijuese: Kategoria e parë- Familja në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar dhe Kategoria e dytë- Familja me një anëtar të aftë për punë, me të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç apo që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç. Përveç këtyre kritereve bazë, familjet (të dy kategorive I dhe II) për të përfituar ndihmën sociale, nuk duhet të kenë në pronësi më shumë 0.5 hektarë tokë, të hyra financiare dhe të mira materiale të llogaritshme, ashtu siç është e përcaktuar me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale. Shuma mujore e ndihmës sociale për një familje përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, e cila rregullohet me akt nënligjor të cilin e nxjerr Ministria.

E shuma e parave që marrin familjet në asistencë sociale është e vogël. Për një familje me një anëtar, shuma e përfituar nga shteti si asistencë sociale është 60 euro, ndërsa për një familje me 15 anëtarë është 180 euro. Ose konkretisht nëse për një anëtar 60 euro nënkupton 2 euro në ditë, atëherë për një familje 15 anëtarëshe nënkupton 0,40 cent në ditë.

Rritja e vërejtur gjatë këtij viti mund të jetë edhe si shkak i pandemisë ku shumë persona kanë humbur vendet e punës për shkak të rënies së madhe të punës dhe humbjeve të mëdha në ekonomi.

Sipas të dhënave të fundit, bizneset e Kosovës kanë humbur rreth 1 miliardë euro qarkullim që nga fillimi i pandemisë, ndërsa deri në fund të vitit parashihet se mund të humbin punën 30 mijë kosovarë – e deri në fund të pandemisë deri në 100 mijë. /Lajmi.net/