Nivelizim në tatim të pronës
Për Shpend Ahmetin ndarja e kategorive që paguajnë tatimin nuk është e drejtë aktualisht. Ai ka një plan me tri parime për nivelizim të tatimit, sipas tij, të barabartë me qytetet europiane.

Lajme
Kandidati për Kryetar të Prishtinës i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka vazhduar fushatën duke shpalosur planin për rregullimin e tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës.
Ahmeti ka thënë se do ta nivelizojë tatimin në pronë ngase asnjëherë banuesit dhe lagjet njëra me tjetrën nuk janë të barabartë në pagesën e tatimit.
“Ajo çka po shohim ne dhe mendojmë pse duhet të ketë reformim të tatimit në pronë, është se pothuajse mund të konsiderojmë se njëjtë paguajnë tatimin në pronë edhe një familje e cila jeton në 50 metra katrorë, njëjtë paguan edhe një familje e cila i ka dy anëtarë dhe i ka 4 banesa në 3 prej cilave nuk banon askush”.
Këtë reformim të tatimit në pronë Ahmeti ka thënë se e bazon në tri parime kryesore.
“E para, në pothuajse pajtim të plotë me parimin që bëhet edhe në shumë qytete europiane, kemi të bëjmë me faktin që një minimum i metrave katrorë për anëtarë të familjes pothuajse caktohet të mos paguhet fare”.
“Pra kërkojmë që niveli më i ulët i pagesave të jetë për familjet të cilat me të vërtetë në maksimum metrat katrorë që i kanë”.
“Kjo lehtëson gjendjen për kushtet e rënda të familjeve por ka edhe efektin e uljes së kostos së qirasë në komunën tonë”
Duke folur për parimin e dytë, ai tha se do nuk do të paguajnë njëjtë tatimin lagjet të cilat nuk i kanë të gjitha shërbimet me ato të cilat pothuajse i kanë të gjitha.
“Në ato vende ku komuna nuk e ka përfunduar ende strukturën rrugore, nuk do të duhej të ishte barra tatimore në pronë e njëjtë sikurse me lagjet të cilat i kanë përfunduar”.
“Parimi i tretë i tretë është që këto të hyra mos të kenë ndikim në të hyrat e buxhetit. Pra, po flasim për lirim nga tatimi në pronë për disa kategori.”
Ahmeti ka thënë se normat tatimore do t’i përcaktojë saktësisht me një projekt në marrje të mandatit, kur do të vlerësojnë tamam të hyrat dhe kur do t’i dijë saktësisht informatat nga secila lagje dhe përqindjet e të hyrave.
“Pothuajse për çdo ditë qytetarë ankohen se po ndihen të pabarabartë, duke mos e paguar tatimin për shkak të mundësive, duke iu krijuar një borxh i madh i tatimit në pronë. Po flas për familje me numër të madh dhe me kushte të rënda”.
“Komuna duhet të ketë përgjigje në politikat programore për raste të tilla, duke mos e dëmtuar buxhetin por edhe duke bërë një progresivitet siç e shohim pothuajse në çdo qytet europian”, ka thënë Shpend Ahmeti.