Nitaj: Qeveria po përpiqet t’i ‘përpunojë’ deputetët kundërshtarë të Demarkacionit

22:34 | 12 Korrik 2016

Muharrem Nitaj

Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, thotë se mosratifikimi do t’i hapë rrugë zgjidhjes së Demarkacionit.

Ai thotë se pengimi i votimit në Kuvend ka qenë opsion muaj më parë e jo sot, sepse Mali i Zi tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen dhe Kosova e ka për obligim që ta çojë procesin në Kuvend, transmeton lajmi.net

“Kërkesat për refuzimin e votimit, vetëm sa e zvarrisin zgjidhjen e problemit dhe nuk krijojnë hapësirë për adresimin e tij. Vetëm vota kundër, përkatësisht mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje, i hapë rrugë zgjidhjes së kësaj çështjeje të rëndësishme”, ka deklaruar Nitaj.

Ai ka shtuar se tashmë Qeveria po e zvarrit këtë proces, për t’ua mbushur mendjen deputetëve që kanë kundërshtuar këtë version të demarkacionit.

“Vendimin e Qeverisë që të mos e procedojë projektligjin për demarkacionin në kuvend, e shoh si përpjekje të saj për t’i ‘përpunuar’ deputetët kundërshtarë të versionit ‘Meha’ të Demarkacionit”, ka shkruar Nitaj. /lajmi.net