Nismës i bashkohen 80 anëtarë të rinj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj i ka paraqitur sot prioritetet e tij qeverisëse para strukturave në Pejë.

Lajme

19/09/2019 22:34

Në takimin ku aderuan mbi 80 të rinj në Nismën Socialdemokrate, kandidati për të parin e ekzekutivit tha se gjatë mandatit të tij do të zhvillohet bujqësia do të ketë paketë të re sociale, sigurime shëndetësore, do të bëhet fuqizimi i drejtësisë, do të fuqizohen prodhimet vendore dhe do të merret parasysh diaspora.

“E vetmja forcë politike që kujdeset për punëtorin, për njeriun në nevojë, për pensionerin, për djemtë dhe vajzat e reja është Nisma Socialdemokrate. Është zëri i shtresës së mesme i atyre që e duan shtetin. Prandaj do të kemi dhe paketën sociale. Do të vazhdojmë fuqishëm, do të vazhdojmë përpjekjet për reforminin e paketës sociale. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tona për gratë shtatzëna dhe me lehoni për të pasur përkujdesjen e shtetit”, tha ai.

Limaj në Pejë adresoi edhe akuza për kundërkandidatët e tij për kryeministër, derisa i sfidoi edhe një herë ata për debat.

“Është luks i madh për këtë vend tonin, sot që me zgjedh kryeministër një njeri që punën e vet të parë publike e merr kryeministrin. As një punë. Punën e parë drejt në kryeministër, kjo ndodhë vetëm në Kosovë. Unë e kuptoj dëshirën, por koha nuk është për ata… Qytetarët e Kosovës kanë nevojë me ditë kujt po ia besojnë fëmijën për 4 vitet e ardhshme, qytetarët e Kosovës kanë nevojë me ditë kush do t’i drejtojë në 4 vitet e ardhshme”, tha ai.

Kryetari i degës së Nismës në Pejë, Gëzon Berisha pati fjalë të mira për kandidatin për kryeministër, Fatmir Limaj, teksa tha se ai do të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 6 tetorit sepse Kosovës, sipas tij i duhet një lider si Limaj.

“Kryeministri në ardhje dëshmoi vetën që nga mosha e re, e deri më tani, se është i vetmi njëri që punon për interesat e vendit dhe të qytetarëve”, tha ai.

Kandidat për deputet nga kjo anë për Nismën është kryetari i degës, Gëzon Berisha.