NISMA për Kosovën mbajti tubime në Gjakovë dhe Junik

Partia më e re politike në vend, NISMA për Kosovën themeloi të hënën Këshillin nismëtar në Gjakovë, me ç’rast u tha se ky subjekt politik mendon për  një shtet ndryshe, ku çdo shtresë e shoqërisë do ta ketë mundësinë për ta zhvilluar jetën në mënyrën që do. 

Lajme

12/05/2014 19:19

Sipas komunikatës së NISMA për medie, në këtë tubimin ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë të kësaj partie, si dhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët e përkrahën NISMËN në këtë tubim.

Kryetari i Kryesisë së NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj u tha qytetarëve në Gjakovë se koordinatori për Gjakovën, Fazli Hoxha do të jetë një misionar siç ka qenë tërë jetën duke ia kushtuar mundin dhe djersën atdheut.

“Sot Gjakovës po i ofrojmë një ekip, i cili po rritet çdo ditë e më shumë në misionin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Gjendja aktuale e vendit tonë, më konkretisht në Gjakovë  është shumë e vështirë. Familjet tona po vijnë duke u varfëruar, të rinjtë tanë po largohen nga vendi duke shkuar në shtetet perëndimore. Ne nuk duam të na shtohen listat sociale, dhe mos të kemi zhvillim të vendit. Nisma është një alternativë për një shpresë më të mirë”, tha Limaj.

NISMA mbajti një tubim me qytetarë edhe në Junik.

“Në Junik po e nismi një nisme të re, një alternativë të re politike.

Koordinatori i këtij subjekti në Junik, Muharrem Kuçi tha se alternativa e Nismës, jo vetëm në qytetin e Junikut, por në gjithë Kosovën, ka ardhur si rezultat i zhvillimeve në këto shtatë vitet e fundit, “ku vetë jemi dëshmitarë të keqqeverisjes, degradimit institucional, nepotizmit, korrupsionit e stagnimit të zhvillimit ekonomik si dhe humbjes së perspektivës dhe shpresës së qytetarëve për jetë më të mirë”.