Nisma për Integrim

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama u thirrën vëllezër me njëri- tjetrin, në takimin që u quajt historik. Në mbledhjen e përbashkët e dy Qeverive në Prizren, ata ftuan për thellim të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri.

Lajme

11/01/2014 10:44

Mirëseardhje të ngrohtë dhe vëllazërore.

Kjo është përshëndetja që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë homologut të tij shqiptar, Edi Rama, dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar shqiptar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prizren.

“Jam shumë i privilegjuar dhe i lumtur për këtë takim të përbashkët”.

“Nuk ka fare dyshim që qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë shumë të lumtur për këtë takim sepse janë të vetëdijshëm se mbledhja e sotme dhe ato të ardhshme do të sjellin vendime të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë dhe më gjerë”.

“Edhe pse jemi një familje, duhet t’i kultivojmë marrëdhëniet tona”.

 

“Ka vullnet edhe në Tiranë edhe në Prishtinë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për gjithë rajonin. Duhet të ecim drejt një të ardhmeje të përbashkët. Kemi një synim të përbashkët që është anëtarësimi në BE”.

“Ne krenohemi me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe jemi të bindur se do të përfitojmë nga përvoja e Shqipërisë për të ecur me shpejt drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

“Të gjithë shqiptarët e presin të lumtur takimin tonë të përbashkët”.

“Ky forum duhet të shërbejë për adresimin e problemeve të pazgjidhura të shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përgëzuar homologun e tij shqiptar për “punën e rëndësishme në avancimin e reformave për reformën për Shqipërinë evropiane” duke u shprehur i sigurt kabineti i tij, siç e quajti, reformator ka për të dalë me sukses në kapërcimin e vështirësive që i ka përpara.

“Kjo mbledhje është një dëshmi dhe respekt se mundi, djersa dhe gjaku i dëshmorëve po respektohet”.

“Mund të jetojmë pa barriera ndaj njëri- tjetrit”.

“Kryeministri Rama është ndër të parët në Shqipëri që pati kurajën t’i kundërvihet regjimit totalitarist. Ata kanë luajtur një rol kyç në nxjerrjen e Shqipërisë nga izolimi”.

 

“Por ne nuk jemi këtu për ta evokuar të kaluarën, por për të punuar për të ardhmen”.

“Duhet të kujdesemi që lëshimet të mos i përsërisim”.

“Ky takim sot shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”.

“Tani po shkojmë me hapa të sigurt drejt normalizimit të marrëdhënieve edhe me Serbinë. Falënderoj përfaqësuesit e komunitetit serb të përfaqësuar në nivel qendror e lokal që respektojnë ligjet e shtetit të Kosovës”.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fillim të fjalimit të tij, tha se nuk janë projektet, nuk janë nevojat, nuk është bindja e përplotësimit në shumë fusha por është vendosmëria që sjell suksesin.

“Ky takim po mbahet në Prizrenin e Lidhjes së Madhe Shqiptare i cili na kujton se nuk do t’i kemi kurrë mundësitë dhe nuk do t’i gjejmë kurrë fjalët e duhura për t’i falënderuar ata që kanë luftuar për ta bërë të mundur këtë ditë”.

“Modestisht mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot në një tryezë të qeverisjes strategjike është një ftesë për të dhënë kontribut për integrimin tonë”.

 

“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje që me gjithë diferencat e ndryshme kanë një gjuhë, një kulturë të përbashkët”.

“Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm”.

“Qeveria e Shqipërisë sot është qeveri e aleancës për Shqipërinë Europiane e cila është faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe si partner strategjik i SHBA dhe BE’së”.

“Bashkëpunimi i vendeve të Beneluksit dhe ai i vendeve nordike janë frymëzim për ne”.

“Janë të mirëpritur edhe mohuesit e brendshëm të cilët këtë mbledhje e cilësuan, pa ndodhur, si një shfaqje patriotike”.

“Kjo nismë, që të marrë kuptimin e merituar, duhet të zhvillohet më tej, edhe si projekt i përbashkët i të gjithëve, edhe i opozitës, edhe i shoqërisë civile, akademikëve, botës ekonomike dhe të tjerët”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Kjo mbledhje përfshin një gjest të shumëpritur, jo thjesht simbolik, për shqiptarët e Preshevës”.

“Ne jemi të gjithë krenarë për Kosovën e cila doli e përgjakur nga një sundim i gjatë. Ajo nuk e ktheu pavarësinë e vet në forcë shtypëse për pakicat, por në respekt për to”.

“Guximi juaj të dashur vëllezër dhe motra, jam i bindur se koha që vjen do t’i çmojë më shumë se ne tani”.

“Sot hapim një proces, që duke u zgjeruar në rrathë tjerë, do të jetë një kontribut shuam i madh për rrugën drejt BE’së”.

“Gjuha jonë është një, ëndrra jonë është një, qëllimi ynë i përbashkët është një”, tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.