Nisma komplikon formimin e koalicionin VV – LDK, qeveria e Kurtit mund të mbetet me 67 deputetë

Nisma kaloi pragun, Vetëvendosje mbeti me 3 deputetë më pak.

Lajme

16/11/2019 21:08

Lëvizja Vetëvendosje nuk e do Nismën në koalicion, e ndryshe mendon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pa deputetët e Nismës, nuk mund të ketë qeveri me shumicë shqiptare siç kishte pretenduar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e edhe pa Listën Serbe – qeveria LVV – LDK me pakicat jo-serbe do të kishte 67 deputetë, shkruan lajmi.net.

Përplasja e ashpërsuar dhe retorikat fyese ndaj njëra-tjetrës nuk kanë munguar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën kohëve të fundit sidomos pas vendimit të Supremes për anulimin e votave të ardhura nga Serbia.

Përfshierja e këtyre votave e linte jashtë Kuvendit koalicionin Nisma – AKR – PD e mospërfshierja e tyre e la me 3 deputetë më pak Lëvizjen Vetëvendosje.

U përmenden edhe zgjedhjet e parakohshme – por terren për të ndodhur një gjë e tillë nuk po sheh njohësi i çështjeve politike Rasim Alija.

Në një prononcim për lajmi.net, Alija është shprehur se pa marrë parasysh zhvillimet dhe acarimet mes Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje por edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës zgjedhja të reja nuk do të ketë.

Sipas Alijait, Nisma nuk ia ka marrë mandatet Vetëvendosjes, thjeshtë ato mandate i ka humbur Vetëvendosja si rezultat i procesit zgjedhor

Ai e sheh të mundur formulën e koalicionit LVV – LDK me pakicat jo-serbe që do të formonin një qeveri me 67 deputetë.

“Pa marrë parasysh zhvillimet, acarimet mes Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje mirëpo edhe LDK-së nuk besoj se ka terren për zgjedhje të reja, duke marrë parasysh faktin se vetëm janë 67 vota me komunitetet jo-serbe mund të gjenden formula që me votat e minoriteteve pakicë jo-serbe të votohet qeveria. Sa i përket polarizimit dhe acarimeve midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës unë e shoh të kuptueshme sepse bëhet fjalë për 3 mandate, thjesht nuk i bie në këtë mes marrje e mandateve as nga Nisma as nga LVV sepse rezultatet nuk janë certifikuar, kemi humbje të mandateve si rezultat i procesit zgjedhor”, tha Alija për lajmi.net.

Alija është shprehur se Nisma në Kuvend i komplikon punët – ani pse duhet të priten rezultatet përfundimtare nëse rinumërimi i afër 1500 kutive mund të ndryshojë diçka.

Sipas tij, kjo e komplikon procedurën dhe formimin e institucioneve – por e sheh si pak të mundshme një situatë ku do të shpalleshin zgjedhjet e reja.

“Nisma në Kuvend i komplikon punët nëse hyn pra sepse rinumërimi mund ta ndryshojë përsëri rezultatin dhe nuk është e sigurtë ende që Nisma është pjesë e Kuvendit edhe pse gjasat janë të mëdha, mirëpo duhet t’i presim rezultatit. Pa dyshim që kjo e komplikon procedurën e formimit të qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit mirëpo nuk shoh terren për zgjedhje të reja, lirisht 67 vota mjaftojnë. Kemi parasysh faktin që PAN-i është mbajtur me 60 ose 59, kështu që unë nuk shoh terren për zgjedhje të reja”, tha më tutje Alija për lajmi.net.

I pyetur nëse Nisma mund të jetë mollë sherri midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kur dihet se LDK e do në qeveri Nismën, ai është shprehur se kjo kompetencë i takon VV-së dhe jo LDK-së.

“Po mund, por kjo nuk është punë e LDK-së, hyerja ose mos-hyerja e Nismës në koalicion varet nga Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhje dhe rrjedhimisht i takon Vetëvendosjes ta thërret ose të mos ta thërret Nismën. Sa i përket marrëdhënieve LDK – Nisma i kemi parë edhe nga takimet Mustafa – Limaj. Është tendencë e LDK-së ta ketë Nismën në qeveri kjo në aspektin e bërjes së një kundërpeshe karshi Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Alija më tutje për lajmi.net.

Alija është shprehur se vendi mund të hyjë në makinacione të formimit institucioneve por dy gjëra do të determinojnë zhvillimet politike në vazhdim, hyrja përfundimtare e Nismës në Kuvend dhe se a do të mund të bëhet qeverija e ardhshme.

Deklaratat dhe retorikën e ashpër të partive politike ndaj njëra-tjetrës, Alija e ka quajtur lojë politike dhe asgjë më tepër.

“Mund të ketë zhvillime të tilla, por krejt çka mund të themi janë dy gjëra që e përcaktojnë të ardhmen: 1 A do të jetë Nisma pjesë e Kuvendit dhe 2. A do të mund të bëhet qeverisja e ardhshme dhe këtu bën shumë rëndësi thirrja e presidentit për mandatarin e parë dhe pastaj mandatarin e dytë. Kosova mund të hyjë në makinacione të formimit të qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit, mirëpo gjasat janë të bëhet qeveria pa shku në zgjedhje, mund të ketë komplikime por jo deri në nivelin sa të shkohet në zgjedhje. Këto deklarata për zgjedhje të reja janë pjesë e retorikës politike”, tha ai për lajmi.net.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve dhe deri mëngjesin e sotëm janë numëruar mbi 21 për qind e tyre. /Lajmi.net/