Nisma kërkon rinumërimin e të gjitha kutive të votimit

Nisma Socialdemokrate përmes një konference për media ka kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit.

Lajme

09/10/2019 18:34

Gjatë ditës së sotme Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e radhës ka marrë vendim që të rinumërohen 313 kuti të votimit për shkak të gabimeve në formularë.

Por, për këtë Nisma po kërkon që të numërohen të gjitha kutitë, pasi ata pretendojnë se kanë fakte që këto gabime kanë ndodhur në të gjitha kutitë e votimit, raporton lajmi.net.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se e kanë mirëpritur vendimin për rinumërim të 313 vendvotimeve për zgjedhjet e 6 tetorit, por ka shtuar se rinumërim duhet të bëhet për secilin vendvotim në vend.

“Nga momenti kur janë hap kutitë janë numëruar votat dhe ka filluar bartja e tyre në formularët e rezultate preliminare, aty pastaj janë bërë gabime të mëdha që rrezikon vërtetësinë e të dhënave. Ekziston vetëm një formular unik, nuk mund të këtë dy, nëse i shikojmë më kujdes këto na del që janë deri në tre formularë. Kemi prekje të formuluarave, 313 sot u identifikuan mirëpo, ne mendojmë dhe jemi të bindur se jo vetëm 313 por të gjitha kutitë kanë të njëjtin formular, pra me gabime, atëherë del se të gjitha kutitë e votimit duhet të shkojnë në rinumërim”, ka thënë Sherifi.

/Lajmi.net/