Nisma kërkon nga Veseli që të zbulojë sa më shpejt muralet

Nisma për Kosovë, e cilëson si veprim të “papranueshmë” rimbulimin e muraleve me motive të historisë shqiptare, të cilat ndodhen në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lajme

12/10/2015 13:44

Përmes një kumtese për media, partia Nisma pyet se kujt po i pengon pasqyrimi i vlerave shqiptërore të shqiptarëve.

“Pa asnjë dyshim ato murale në vetvete paraqisnin historinë dhe identitetin tonë kombëtar dhe perëndimor në mbrojtje të vlerave evropiane, siç ishte Kuvendi i Lezhës. Kujt dhe pse po i pengon pasqyrimi i këtyre vlerave shpirtërore të shqiptarëve?”

“Arti i atyre muraleve përveç që është nga tema e historisë së lavdishme shqiptare, nuk prek e as cenon ndjenjat njerëzore, kombëtare a civilizuese të asnjë grupi minoritar etnik në Kosovë”, thuhet në kumtesë.

Nisma për Kosovë, thotë se qytetarët duhet ta dinë se pse kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka dhënë urdhër për rizbulimin e muraleve.

“A po i pengojnë kryetarit Veseli ato murale dhe ajo përmbajtje e tyre, apo kryetari Veseli ka zbatuar urdhrat e Listës Serbe apo të qeverisë së Serbisë, sepse reagimi aq i shpejtë nga ana e kryetarit të kuvendit për rimbulimin e tyre, nuk ka shpjegim tjetër”, thuhet në reagimin e Nismës, parti kjo që kërkon nga Veseli që të zbulojë sa më shpejt muralet.