Nisin qetë votimet në Veri

Tri vendvotimet në Mitrovicën Veriore janë hapur pa incidente mëngjesin e sotëm. Deri tani raportohet për një pjesëmarrje simbolike. Ka një prani të shtuar të KFOR’it, EULEX’it dhe Policisë së Kosovës para qendrave të votimit.

Lajme

17/11/2013 08:37

Janë hapur me pak vonesë por pa incidente tri vendvotimet në Mitrovicën Veriore, në të cilat kanë të drejtë vote 24 mijë qytetarë të kësaj pjese.

Qeveria e Serbisë është angazhuar intenzivisht në lobimin për pjesëmarrje sa më të madhe të serbëve në votime, për të mundësuar që kjo pjesë e ndarë e Mitrovicës të ketë një Kryetar legjitim serb.

Në hapjen e këtyre tri vendvotime nuk ka pasur vonesa të mëdha, pasi materiale dhe gjithçka tjetër ka arritur me kohë.

Një vonesë  10-15 minutëshe në hapjen e qendrës së votimit ka ndodhur vetëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë.

Raportohet për një pjesëmarrje simbolike deri tani të serbëve në këto votime, të cilat po përcillen me një interesim të jashtëzakonshëm nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë zbarkuar në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore.

Votimet në këto tri vendvotime u ndërprenë dhunshëm dhe i gjithë materiali zgjedhor u shkatërrua më 3 nëntor, nga presona të maskuar të grupeve ekstremiste që veprojnë në këtë pjesë.

Për të mos lejuar përsëritjen e incidenteve të tilla, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë kanë ndërmarrë masa të forta sigurie.

Pjesëtarë të shumtë të KFOR’it, EULEX’it dhe Policisë së Kosovës në numër shumë më të madh se me 3 nëntor po qëndrojnë pranë qendrave të votimit për të mos lejuar prishjen e procesit zgjedhor.

Në këto tri vendvotime kanë shkuar me kohë edhe rreth 20 komisionerë shqiptarë. Në mungesë të përcjelljes policore, ata janë detyruar që të shkojnë në këto qendra votime me makinat e tyre personale, pavarësisht rrezikut që mund të kenë.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë , Behxhet Bala, thotë se komisionerët janë detyruar që në mungesë të përcjelljes, nga ana e policisë, të shkojnë vetë në këto qendra.

 

(Kosovapress.com, lajmi.net)