Nisin kundërshtitë brenda partisë së Tsipras: Marrëveshja grusht-shteti dhe fyese

Një ndër pikat e marrëveshjes të liderëve të eurogrupit dhe Greqisë është fakti se asetet prej 50 milardë euro Greqia do t’i transferojë dhe më pas do të privatizohen nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Pika kryesore mbetet se do të menaxhohen nga grekët.

Bota

13/07/2015 13:50

Ky fakt, ka shërbyer që të nisin menjëherë kundërshtitë e para nga partia e kryeministrit Tsipras, Syriza, i cili i çon parlamentit peshën e madhe të marrjes së një vendimi përballë kushteve të rrepta të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Zërat e parë kundër vijnë nga zëdhënësja e Syrizas në Londër Marina Prentoulis e cila në reagimin e saj thotë:

“Ne kemi mijëra njerëz të cilët kanë vrarë veten për shkak të problemeve ekonomike , 60% e të rinjve tanë janë të papunë, 27% e popullsisë së përgjithshme është e papunë, kemi një rritje të borxhit nga e cila ekonomia greke është reduktuar me një të katërtën. Unë jam vërtet e shqetësuar nga këto masa. Kjo është e qartë ata kanë qenë në një presion Europian për arritjen e marrëveshjes. Ajo çka ne të gjithë themi se kemi të bëjmë me një grusht shteti”.

Por jo më pak të ashpra kanë qenë edhe kritikat ministri grek i Energjisë si dhe lider i partisë radikale të Syrizës, Panagiotis Lafazaris e ka cilësuar marrëveshjen si “Marrëveshje fyese”.

Ajo çka mbetet për tu parë është fakti se a do të miratohet marrëveshja nga parlamenti grek.

Nga fondi i garancisë 50 miliardë euro, 25 miliardë euro do të përdoren për rikapitalizimin e sistemit bankar dhe pjesa tjetër 25 miliardë euro do të përdoret për uljen e borxhit të brendshëm edhe për investime publike. Ky fond do të krijohet në Greqi dhe të menaxhohet nga autoritetet greke nën mbikëqyrjen e Institucioneve përkatëse evropiane.