Nisin hetimet për vrasje pas gjetjes së 39 trupave në Britani

15:36 | 23 Tetor 2019

Foto: Reuters

Një kamion transporti, me 39 trupa të pajetë, që u gjet nga policia britanike në juglindje të Anglisë, dyshohet se ka arritur atje nga Bullgaria.

Policia britanike tha se një 25-vjeçar, i cili ka vozitur automjetin, është arrestuar.

“Një hetim për vrasje ka nisur. Vozitësi i kamionit, 25 vjeç, nga Irlanda Veriore, është arrestuar nën dyshimet për vrasje dhe mbetet në paraburgim”, tha Pippa Mills, zëvendësshefe e policisë në Esiks të Anglisë.

Trupat – 38 të rritur dhe një adoleshent – u gjetën në Parkun Industrial Waterglade, rreth 32 kilometra larg Londrës.

Policia tha se viktimat nuk janë identifikuar ende.

Andrew Mariner, kryeshef i policisë në Esiks, u tha gazetarëve se kamioni besohet se ka hyrë në Britani më 19 tetor përmes portit në Uells.

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, tha se po bëhen hetimet për të përcaktuar nëse kamioni ka kaluar nëpër vendin e tij.

Autoritetet bullgare thanë se nuk e kanë konfirmuar ende nëse kamioni ka regjistrim bullgar ose nëse ai e ka nisur udhëtimin nga Bullgaria.

“Jemi në kontakt me ambasadën tonë në Londër dhe me autoritetet britanike”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Autoritetet britanike nuk dhanë detaje se sa nga viktimat janë burra ose gra.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u tha ligjvënësve se incidenti është një “tragjedi e paimagjinueshme” dhe “vërtet zemërthyese”./rel