Nishani uron në 104-vjetorin e formimit të Ushtrisë Kombëtare

Presidenti Bujar Nishani uroi 104-vjetorin e formimit të Ushtrisë Kombëtare. “Pas 28 Nëntorit të lavdishëm, ditës së shpalljes së Pavarësisë, 4 Dhjetori 1912 është data që shënon një ndër aktet më madhore në historinë e shtetit shqiptar, krijimin e Ushtrisë Kombëtare.

Lajme

04/12/2016 15:33

Edhe pse jo e institucionalizuar, qëndresa ushtarake e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zero. Me aq mundësi ushtarake sa kemi pasur, kemi siguruar mbijetesën dhe integritetin kombëtar”, u shpreh Nishani, raporton Top Channel.

“Shqipëria ka sot një ushtri profesioniste, që forcohet dita-ditës, duke pasur synime të qarta për përsosjen dhe modernizimin e saj. Sot, forcat tona të armatosura kanë historinë e vet.

Kanë martirët dhe dëshmorët e vet. Nderim përjetë kontributit dhe sakrificës së tyre! 4 Dhjetori, për të gjithë ushtarakët dhe për të gjithë popullin është një ditë për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe për të nderuar gjithçka bënë heronjtë e vërtetë, duke hapur rrugën e krijimit të ushtrisë moderne të Shqipërisë që sot renditet në aleancën më të madhe politike dhe ushtarake e më të suksesshme të të gjitha kohërave, atë të Atlantikut të Veriut”, shtoi Nishani.

Presidenti nënvizoi se “tashmë e kemi gjetur udhën, po ecim pa u ndalur drejt një të ardhmeje të sigurt me Forca të Armatosura që kryejnë më së miri rolin e vet në botën e sotme të turbullt me plot të papritura”.