Nishani thotë se ai dhe familja e tij po përgjohen

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, ka thënë se familja e tij dhe jeta private po përgjohet. Ai ka thënë se kjo po bëhet nga përfaqësueses te administratës shtetërore, por nuk ka akuzuar për një gjë të tillë kryeministrin Rama.

Lajme

30/10/2015 10:06

Ai në një emision në Top Channel, ka folur edhe për raportet mes shumicës dhe Presidentit, që sipas tij nuk janë në ditë më të mira.

Nishani të njëjtin vlerësim dha edhe për situatën në drejtësi, ekonomi dhe aktualitetin politik në vend.

Presidenti Bujar Nishani deklaroi se mazhoranca e ka sulmuar vazhdimisht përmes reduktimit të kompetencave, ndaj roli i tij në zbutjen e polarizimit është tejet i reduktuar.

Duke iu rikthyer zërave për përgjime, Presidenti i Republikës deklaroi se përfaqësues të administratës shtetërore po përgjojnë jetën e tij private dhe të familjarëve të tij, por shtoi se nuk akuzon kryeministrin Rama për këtë.

“E kam deklaruar publikisht disa herë në mënyrë shumë serioze, që jeta ime private dhe e familjarëve të Presidentit ka qenë nën survejim dhe nën përgjim. Kjo është një çështje që në kontekst raporti institucional është shumë serioze. Për mua nuk përbën asnjë lloj problemi, jam shumë krenar për jetën time private dhe të familjarëve të mi dhe për këtë nuk kam asnjë merak, por është nëj çështje që nuk meriton për momentin të ketë prioritet, por unë nuk do të heq dorë derisa kjo çështje të hetohet nga drejtësia”, deklaroi kreu i shtetit, transmeton lajmi.net.

Presidenti Nishani deklaroi se ka prova dhe fakte në lidhje me përgjimin ndaj tij dhe familjarëve të tij, ndërsa shtoi se nuk i është drejtuar Prokurorisë për të denoncuar këtë, pasi sheh si të fortë influencën e qeverisë mbi sistemin e drejtësisë sot.

“Për fat të keq, në konfirmimin që kam, të shumë provave dhe fakteve që kam, rezervimi im ka të bëjë me influencën e fortë të qeverisë në sistemin e drejtësisë sot për sot”, tha Presidenti i Republikës.