Nishani: Dosjet ndaj oficereve të policisë po rrinë në zyrat e Tahirit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani tregoi se në zyrën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka një dosje me emra konkretë të oficerëve të Policisë së Shtetit të lidhur me krimin.

Lajme

22/04/2016 09:53

Dosja është përgatitur nga Shërbimi Informativ Shtetëror prej një viti, sipas Nishanit, por nga Tahiri nuk ka pasur asnjë reagim.

“Për t’i kthyer besimin opozitës politike që qeveria ka mundësi për të goditur fort me vendimet institucionale dhe i takon. Së dyti, duke larguar nga Policia dhe Prokuroria të gjithë ata që janë të lidhur me krimin. Ka në zyrën e ministrit të Brendshëm një informacion të SHISH prej më shumë se një viti me emra konkretë të oficerëve të policisë të lidhur me veprimtari kriminale, informacion që fle në sirtarët e Ministrisë së Brendshme”, theksoi Nishani.

“Ka informacion që oficerë të policisë janë të lidhur me veprimtari kriminale”, theksoi tre herë radhazi Nishani.

Deklarata e Nishanit u bë gjatë emisionit “Të paekspozuarit”, ku ai kërkoi të merren masa të menjëhershme kundër krimit.

“Nëse nuk ndërhyhet me një reagim të fortë të shtetit dhe të menjëhershëm rrezikojmë që krimi i organizuar të na kthehet në organizatë mafioze. Jemi në një situatë delikate. Është një rrezik shumë i madh” u shpreh Nishani.