Nis tubimi i shqiptarëve tek Ura e Ibrit, forca të mëdha të policisë

Ka nisur një tubim i shqiptarëve afër Urës së Ibrit në pjesën jugore të Mitrovicës. Aty shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës si dhe disa persona që kanë të veshura simbole kombëtare e këndojnë këngë patriotike. Nga Policia e Kosovës dhe nga akterë të tjerë të sigurisë është apeluar që të mos dilet…

Lajme

01/06/2023 12:06

Ka nisur një tubim i shqiptarëve afër Urës së Ibrit në pjesën jugore të Mitrovicës.

Aty shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës si dhe disa persona që kanë të veshura simbole kombëtare e këndojnë këngë patriotike.

Nga Policia e Kosovës dhe nga akterë të tjerë të sigurisë është apeluar që të mos dilet në këtë tubim pasi që thirrja është bërë nga persona që mund të jenë të dyshimtë dhe të dëmshëm për sigurinë nacionale.

 

Lexojeni komunikatën e Policisë:

Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend./Lajmi.net/