Nis takimi Kurti-Mustafa, a do të arrijnë “ndihmësit” e QUINT-it t’i bindin për arritjen e koalicionit?

Para pak minutash ka nisur takimi mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Lajme

28/01/2020 17:26

Ndryshe nga herët e tjera, në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe një palë e tretë, e që janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, shkruan lajmi.net.

Ndonëse nuk dihet ende saktë se me iniciativë të kujt janë ftuar këta ambasadorë, nga Vetëvendosje gjatë ditës së sotme thanë se të njëjtit nuk janë thirrur për të ndërmjetësuar.

Ishte Erzen Vraniqi nga VV që përmes një postimi në Facebook tha se ndërkombëtarët janë ftuar në cilësi të ndihmësve, e jo të ndërmjetësuesve.

Lexo edhe:

Flasin nga VV: Ambasadorët e QUINT-it u ftuan si ndihmues, jo si ndërmjetësues

Sidoqoftë, kanë kaluar tre muaj e 22 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa VV dhe LDK kanë ngecur në pikat që dikur më së paku mund të mendoheshin se mund të bëhen “mollë sherri” për përplasjen mes dy partive.

Mbetet të shihet nëse “ndihmësit” e QUINT-it do të arrijnë t’i bindin krerët e LDK-së dhe VV-së të heqin dorë nga kërkesat e tyre për poste, dhe t’i lirojnë hapësirë arritjes së marrëveshjes për qeverisje.

Teksa, afati i fundit kushtetues për mandatarin, Albin Kurti për formimin e Qeverisë është 4 shkurti. /Lajmi.net/

Lexo po ashtu:

VV thotë se ambasadorët do jenë në takimin me LDK-në