Nis takimi i Osmanit me Escobar e Lajçakun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Gabriel Escobar. Ndërsa gjatë ditës së djeshme të dy emisarët janë takuar me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimi ata deklaruan se ndaj Kurtit kanë parashtruar…

Lajme

06/06/2023 09:51

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Gabriel Escobar.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme të dy emisarët janë takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimi ata deklaruan se ndaj Kurtit kanë parashtruar tri kërkesa, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në Dialog.

Kjo vizitë po zhvillohet në një kohë kur situata në veri të Kosovës mbetet ende e tensionuar për shkak të protestave dhe numrit të shtuar të forcave të rendit dhe ligjit.

Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.

Kurse, disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.

Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar./Lajmi.net/