Nis shkrirja e Nismës në AAK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një njoftimi për media, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kësaj partie do t’i bashkohet një degë e rëndësishme e një partie tjetër në Lipjan.
Lajme
“Sot (e enjte), në orën 14:00, në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Prishtinë, zhvillohet ceremonia solemne e bashkimit me AAK-në i strukturave të degës së një subjekti tjetër politik të Lipjanit”, thuhet në njoftim.
Në këtë ceremoni, i pranishëm do të jetë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe do të prezantojë aderuesit e rinj.
Ditë më parë është përfolur nëpër media mundësia e bashkimit të AAK-së dhe Nismës për Kosovën, në rst të zgjedhjeve të reja të parakohshme, por si duket “shkrirja” e kësaj të fundit brenda partisë së Ramush Haradinajt, tashmë ka filluar.
Sipas burimeve të lajmi.net, dega që do t’i bashkohet sot AAK-së, është ajo e partisë Nisma për Kosovën në Lipjan, ndërsa nga zyrtarë të AAK-së është paralajmëruar edhe mundësia e bashkëngjitjes së degëve të tjera të këtij subjekti të udhëhequr nga ish-ministri i Partisë Demokratike, Fatmir Limaj, i cili fitin e kaluar së bashku me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi u larguan nga parti e Hashim Thaçit.