​Nis seanca ku pritet votimi i ligjit për pagën minimale

Derisa në oborrin e Kuvendit të Kosovës po vazhdon protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku po kërkojnë që mos të mbahet seanca e Kuvendit, në të cilën është paraparë të shqyrtohet edhe paga minimale me ngritje, pa përfshirjen e këtyre kategorive të dala, tashmë ka nisur seanca ku pritet të shqyrtohet kjo pikë dhe disa pika të tjera.

Lajme

06/06/2022 12:43

Gjatë kësaj seance pritet të votohet në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

Disa nga deputetët e PDK-së i janë bashkuar sot protestës së veteranëve, ku janë munduar t’i qetësojnë protestuesit të cilët kanë tentuar të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.

Në momentin që protestuesit janë munduar të hyjnë brenda Kuvendit ka reaguar edhe policia, të cilët kanë shpërndarë turmën ndërsa janë detyruar të përdorin edhe sprej.