Nis raundi i ri i Dialogut në Bruksel

Një raund tjetër bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit po zhvillohet sot në Bruksel, ku Baronesha Catherine Ashton po takon të dy Kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic. Në agjendë janë gjyqësori dhe Asociacioni i Komunave Serbe.

Lajme

12/02/2014 11:14

Ka filluar në Bruksel raundi i ri i takimeve të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, me Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijancic.

“Dialogu Prishtinë-Beograd, i lehtësuar nga BE ka filluar sot paradite. Catherine Ashton ka filluar dialogun me dy Kryeministrat dhe ekipet e tyre”, ka shkruar në Twitter, Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Baroneshës Chatherine Ashton.

Tema të dialogut të ri do të jenë gjyqësia dhe formimi i Asocacionit të komunave serbe në veri të Kosovës. Por, nuk përjashtohen edhe tema të tjera, siç është raundi i ri zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, raporton RTK.

Të dy kryeministrat të hënë vonë morën pjesë edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën u diskutua raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, për Kosovën.