Nis procesi i votimit

Në ora 07:00 ka nisur procesi i votimi në 25 komuna të Kosovës. Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, përfshirë edhe Veriun e Mitrovicës. Votimet do të mbyllen në orën 19:00, ndërsa KQZ premton se brenda dy orësh do të shpallen rezultatet.

Lajme

01/12/2013 06:30

Sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve në të cilin qytetarët në 25 komuna të Kosovës do të votojnë për të preferuarin e tyre për Kryetar Komune.

KQZ në konferencën e parë për sot ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, përfshirë edhe Mitrovicën Veriore, ku për herë të parë po organizohen zgjedhjet lokale me ligjet e Kosovë.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka,  njoftoi se deri tani nuk është shënuar asnjë problem.

“Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë në orën 07:00 të mëngjesit”, ka njoftuar Daka.

Në këtë raund të balotazhit janë hapur gjithësejt 594 Qendra të Votimit me 1. 816 Vendvotime.

Numri i votuesve të regjistruar për të marrë pjesë në këtë raund final të zgjedhjeve lokale është është 1.371. 524.

Raundi i dytë i zgjedhjeve po mbahet në këto komuna, në të cilat asnjë nga kandidatët nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme të votave në raundin e parë:  Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Viti, Lipjan, Malishevë, Suharekë, Rahovec, Kamenicë, Obiliq, Vushtrri, Klinë, Dragash, Novobërdë, Shtërpcë, Junik,  Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

KQZ ka bërë të ditur se nga ana e saj janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që garantojnë rregullshmërinë e këtij procesi.

Po ashtu, mekanizmat e sigurisë kanë siguruar se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar prishjen e procesit zgjedhor, e ku përqëndrimi më i madh i tyre pritet të jetë në Mitrovicën Veriore – ku raundi i parë zgjedhor më 3 nëntor u përcoll me incidente të dhunshme.

Prokuroria dhe të gjithë mekanizmat tjerë të sigurisë, në një takim me Presidenten Atifete Jahjaga, të mbajtur një ditë para votimit, kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përpjekje për të siguruar zgjedhje të drejta dhe të lira si dhe për të mos lejuar asnjë përpjekjepër keqpërdorimin e votës.

Në një intervistë për lajmi.net, Presidentja Jahjaga ka thënë se pret që në zgjedhje të tregohet pjekuri politike. Ajo ka paralajmëruar se nuk do të amnestohen shkelësit eventualë gjatë këtij procesi zgjedhor.