Nis ndërtimi i rrugës bri hekurudhës në Arbëri

Komuna e Prishtinës filloi punimet në ndërtimin e rrugës “Ekrem Rexha”, te rrethrrotullimi afër hekurudhës, në lagjen Arbëria, pas një kohe të gjatë të ndërprerjes së këtij projekti. 

Lajme

26/05/2014 20:06

Sipas komunikatës së Komunës, punimet në këtë pjesë të qytetit ishin ndërprerë me vendim të gjykatës, pasi që Hekurudhat e Kosovës kishin paditur Komunën e Prishtinës për shkak të pronave.

Shumë shpejt do të përfundojë rregullimi i kanalizimit në këtë pjesë, për të vazhduar më pas me rrugën që është edhe pjesë e unazës qendrore të qytetit.

Të hënën kanë nisur punimet edhe për ndërtimin e rrugës në fshatin Grashticë, lagja Halilaj, projekt ky që pritet të përfundojë brenda javës.