Nis MSA, nuk vjen Fule

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Stefan Fule, nuk vjen në Kosovë më 28 tetor për t’i nisur negociatat për MSA. Në vend të tij, Ministrja Vlora Çitaku inicion procesin me Joost Korte.

Lajme

25/10/2013 14:47

Bashkimi Europian dhe Kosova do t’i nisin zyrtarisht më 28 tetor negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim.

Nisja e këtyre negociatave është konfirmuar sot si nga Brukseli ashtu edhe nga Prishtina zyrtare.

Atë ditë, në Prishtinë do të mbahet një takim formal ku palët do të diskutojnë për rrugën dhe sfidat që e presin Kosovën në këtë proces që pritet të zgjasë disa muaj.

Fillimisht, nisja e negociatave të MSA’së ndërmjet BE’së dhe Kosovës ishte caktuar për 18 tetor, por për shkak të agjendës së Komisionerit Fule ajo u shty për 10 ditë.

Por Brukseli ka konfirmuar mosardhjen e Komisionerit Fule për 28 tetor dhe në vend të tij ka caktuar Drejtorin e Përgjithshëm të Departamentit për Zgjerim, Joost Koorte.

Takimi i 28 tetorit do të jetë i ndarë në tri sesione që përfshijnë lëvizjen e lirë të mallrave, krijimin, ofrimin e shërbimeve dhe lëvizjen e kapitalit; përafrimin e ligjeve, zbatimn e ligjit dhe rregullat e konkurrencës; dhe  politikat e bashkëpunimit dhe bashkëpunimin financiar.

“Sapo të përfundojnë negociatat, Këshilli do të vendosë për autorizimin e Përfaqësueses së Lartë/Nënkryetares për të nënshkruar marrëveshjen, e cila do të hyjë në fuqi pas pëlqimit të Parlamentit Evropian dhe ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

“Pritet që MSA të nënshkruhet në pranverë të vitit 2014 dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2014”, thotë Zyra e BE’së në Kosovë.

Negociatat për këtë proces kanë nisur në shkurt të vitit të kaluar, kur Komisioni kishte vendosur ta lansojë një studim të fizibilitetit për të shikuar nëse ishin plotësuar kriteret politike, ekonomike dhe ligjore për një MSA.

Studimi i publikuar në muajin tetor të vitit 2012 ka sugjeruar se Kosova ka qenë “në masë të madhe e gatshme” për të nisur negociatat për një MSA, me kusht që Kosova të realizonte shpejt një numër reformash në katër fushat prioritare: sundimi i ligjit, administrimi publik, mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia.

Në prill 2013, Komisioni konsideroi se të gjitha prioritetet afatshkurtëra, që ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit, ishin plotësuar, duke shtruar në këtë mënyrë rrugën drejt përfundimeve të Këshillit në qershor të këtij viti për të vendosur për autorizimin e hapjes së negociatave për një MSA.