Nipi i Jakup Kraniqit nga Haga: Historia nuk mund të rishkruhet
Familjarë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë, marshin “Drejtësi, jo politikë“ i cili u mbajt në Prishtinë e përcollën nga Haga. Për ta kjo protestë ishte mesazh i qartë se kush duhet të flas për liri dhe kush mund ta gjykoj luftën e UÇK-së. Nipi i Jakup Krasniqit,…
Lajme
Familjarë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë, marshin “Drejtësi, jo politikë“ i cili u mbajt në Prishtinë e përcollën nga Haga. Për ta kjo protestë ishte mesazh i qartë se kush duhet të flas për liri dhe kush mund ta gjykoj luftën e UÇK-së.
Nipi i Jakup Krasniqit, Dardan Krasniqi tha se gjykimi i katërshes së UÇK-së është përpjekje për të rishkruar historinë, por mesazhi që dha sot populli shqiptar në Prishtina është se historia nuk mund të rishkruhet dhe se ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen nga Specialja janë vetë liria dhe dinjiteti i vendit.
“E kemi ndjekur live protestën madhështore e cila ishte një mesazh i qartë se çka është liria, kush duhet të flas në emër të lirisë, kush duhet të qoj mesazh në emër të lirisë, kush mund ta gjykoj luftën dhe njerëzit e asaj lufte dhe kjo këtu që jemi duhet ta themi për fat të keq për 5 vite e gjysmë është një përpjekje për të rishkruar historinë dhe mesazhi i popullit tonë dhe i joni dhe i juaji bashkërisht është shumë i qartë historia nuk mund të rishkruhet, historia dhe fati i atyre njerëzve janë të mishëruar dhe të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Ata katër burra nuk janë thjesht katër individ që po gjykohen për krime të pretenduara dhe çfarëdo pretendime që ka prokuroria, ata janë vetë historia e Kosovës, ata janë vetë liria dhe dinjiteti i këtij vendi. Prandaj, nuk është presion, është mbrojtje e lirisë, dinjitetit tonë njerëzor, është mbrojtje e sakrificës së shumë gjeneratave e cila kulmoi dhe ngadhënjeu me luftën e UÇK. Prandaj, kjo është thirrje e qartë për të gjithë ata që sot dhe nesër do të marrin vendim që ta mbrojnë lirinë, a mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe mos të flasin në emër të pretendimeve të rreme, por të flasin në emër të asaj çka pamë në sheshin e Prishtinë“, tha ai.
Nga Haga, nipi i Krasniqi tha se nga trupi gjykues presin vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së.
“Prokuroria asnjëherë nuk ka arritur të dëshmoj diçka çka ka pretenduar ne urojmë shpejt që liria e tyre të jetë sa më parë finalja të kulmoj me lirinë e tyre edhe të qohet mesazhi pse si e tek kanë qenë këto vite dhe si liria e Kosovës është e lidhur me emrin e tyre. Nuk presim ndonjë vendim tjetër sepse atëherë do të kishim të bëjmë me politik dhe jo me drejtësi”, tha Krasnqi.
Prezenca e presidentes, Vjosa Osmanit në protestën e sotme në sheshin “Skënderbeu” sipas nipit të Jakup Krasniqit, Dardanit është mesazhi më i qartë se çka do populli.
Krasniqi foli edhe për gjendjen emocionale të axhës së tij, për çka tha se gjendje shpirtërore e Jakup Krasniqit lidhet me vuajtjet e popullit shqiptar për liri.
“Jakup Kransiqi dhe gjendja e tij emocionale kemi thënë më së paku lidhet me gjendjen e tij shpirtërore në kuptimin personal është mishërim i një vuajtje të gjatë të një populli dhe të një populli për liri. Edhe pjesëmarrja e Vjosa Osmanit si presidente dhe gjithë klerikëve fetar pa dallim shoqërisë është mesazhi më i qartë se çka do populli dhe kush mund të flas në emër të popullit”, tha ai.
Vëllezërit dhe nipat e Thaçit , djali i Jakup Krasniqit dhe familjarë të tjerë e kanë përcjell drejtpërdrejt bashkë në Hagë këtë protestë në Prishtinë.
Sot në 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur marshi “Drejtësi, jo Politikë“ në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që janë në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020.
Në këtë marsh morën pjesë mijëra qytetarë, personalitete politike të cilët kërkuan drejtësi për katërshen e UÇK-së.
Më 9 shkurt të këtij në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./kp