Nikoliqi tregohet “zemërgjerë”, i ofron Kosovës atë që ia mori Millosheviqi

Lidershipi politik në Serbi vazhdon të sillet sikur koha nuk ka lëvizur që nga para vitit 1999. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka përgatitur një platformë për zgjidhjen e problemit me Kosovën, në të cilën ofron autonomi si ajo e vitit 1974, të cilën Millosheviqi ja hoqi Kosovën në vitin 1989.

Lajme

12/05/2015 14:35

Platforma e re për Kosovën e presidentit serb Nikoliq, sipas gazetës së përditshme beogradase “Politika”, do t’i paraqitet brenda dy – tri ditësh kryeministrit Aleksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas kësaj gazete, Nikoliq në platformën e tij propozon që Kosova të vazhdojë të trajtohet në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, ndërsa shqiptarëve t’u ofrohen të drejta si ato që i kishin në ish Jugosllavi.

Me ndryshimet kushtetuese të ish Jugosllavisë të vitit 1974, Kosova kishte fituar të drejta në vetëqeverisje, në gjyqësor dhe mundësinë e themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kosova me kushtetutën e vitit 1974 kishte fuqi ekzekutive thuajse të barabartë me gjashtë republikat e ish Jugosllavisë, por vazhdonte të ishte pjesë përbërëse e Serbisë, gjë të cilën e ofron platforma tallëse e Nikoliqit, i cili duket se nuk është i vetëdijshëm se Kosovën shtet të pavarur tanimë e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, e ku bëjnë pjesë shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (lajmi.net)