Nikoliqi ikën nga përgjegjësia për Kosovën
Me deklarata të vazhdueshme kontroverse për Kosovën, sikundër ajo më e reja për nevojën e referendumit, Tomisllav Nikoliq në fakt po përpiqet të ikë nga përgjegjësia, vlerësojnë dy analistë të njohur serbë.

Lajme
Sipas Nikoliqit, zgjidhja për Kosovën është referendumi në të cilin populli do të deklarohej se nën çka Serbia nuk guxon të lëshohet në negociatat e Brukselit. Ai në një emision televiziv ka deklaruar se nëse qytetarët do të deklaroheshin për nënshkrimin e pavarësisë së Kosovës, ai do të largohej nga funksioni i presidentit.
“Nuk ka te Nikoliqi kurrfarë zgjidhjeje të re për Kosovën. Risi në propozimet e tij është ajo që kryeministri duhet të dalë para Kuvendit para vazhdimit të dialogut. Mendoj që esenca e propozimit të Nikoliqit është që ta vërë kryeministrin Vuçiq dhe qeverinë nën monitorim. Risia tjetër me siguri do të shkaktojë reagime të mëdha, sepse ka të bëjë me kundërshtimin e pezullimit të të gjitha institucioneve paralele, gjë që është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e Brukselit, të cilën Serbia e ka nënshkruar. Dhe, ideja e tretë është ajo për referendumin”, thotë për gazetën serbe Blic Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike.
Shpallja e referendumit nuk është në kompetencë të presidentit të Serbisë, por sipas kushtetutës atë e shpall Kuvendi me kërkesën e shumicës së deputetëve apo të paktën 100,000 zgjedhësve, transmeton lajmi.net.
Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Predrag Simiq, thotë se Nikoliq po ikën nga përgjegjësia për Kosovën.
“Po afrohet vazhdimi i negociatave të Brukselit, të cilat shumëkush në Serbi i përjeton si negociata për pavarësinë e Kosovës. Ato negociata me siguri do të kenë pasoja politike dhe Nikoliq thjesht kërkon qysh tash t’i ikë kësaj. Shqiptarët janë të padurueshëm, kurse ne jemi pa përkrahje tradicionale të Rusisë, e cila është rrasur në probleme të veta. Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar, kurse Serbia tash shkon në Bruksel si pëllumb shënjestre. Nikoliq është shumë i vetëdijshëm për këtë”, sqaron Simiq, transmeton lajmi.net.