Nikoliq përmes Kosovës po tenton rolin udhëheqës në politikën serbe
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, po akuzohet nga opozita në Serbi, se po e përdor Kosovën, për interesa të tij politike, duke dashur të tregohet më aktiv nga kompleksi se roli i tij ka rënë nën hijen e kryeministrit Aleksandar Vuçiq.

Lajme
Presidenti serb, Nikoliq, kohëve të fundit është i vetmi zyrtar i lart i shtetit serb që po insiston të thotë se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, derisa të tjerët, duke përfshirë edhe ambasadorët e vendeve të BE-së në Serbi, po e mohojnë këtë.
Nikoliq ka paralajmëruar se po përgatit një plan për statusin përfundimtar të Kosovës, të cilin do të ja dërgojë qeverisë së Vuçiqit, sipas tij, për të nxjerrë një vendim të përbashkët shtetëror rreth Kosovës, por i cili në asnjë formë nuk do të pranonte shtetin, sipas tyre të pavarësuar ilegalisht, transmeton lajmi.net.
Por, në anën tjetër, opozita në Serbi po e kritikon këtë qasje të presidentit serb.
Gjorgje Miliçeviq, kryetar i komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, i ka thënë mediave të Beogradit, se propozimi i Nikoliqit, është nguti e tij, që të tregojë iniciativë përpara, duke tentuar që të marrë rolin udhëheqës.
Ndërsa për ish presidentin serb, Boris Tadiq, është i habitshëm insistimi i presidentit Nikoliq për presionin e BE-së për ta njohur Kosovën, kur vetë pesë anëtare të BE-së nuk e kanë njohur atë.
Ai thotë, se presidenti Nikoliq, ose nuk po arrin t’i kuptojë parimet e politikës ndërkombëtare, ose është duke abuzuar me temën e Kosovës, duke tentuar që përmes saj të kthehet në jetën aktive politike.
Ndërsa, për një opozitar tjetër, Zoran Zhivkoviq, shpallja e planit të Nikoliqit, më shumë ka të bëjë në përballjen e tij me Vuçiqin, se sa me temën për të cilën ai po flet. (lajmi.net)