Nikoliq i pakënaqur me rezultatet e serbëve në zgjedhjet kosovare

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve për parlamentin kosovar janë të pritshme dhe përsëriti se nuk e ka ndërmend që me asnjë çmim të bëjë tregti me Kosovën. 

Lajme

10/06/2014 00:12

Në një bisedë për televizionin publik serb RTS, Nikoliq tha që ky rezultat i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë është pritur sa i përket partive politike shqiptare, por që nuk mund të jetë i kënaqur sa i përket Listës Srpska, pasi që, siç ka thënë ai, nga 20 deputetë në përbërjen e kaluar tash kanë kaluar në 10 apo 9 deputetë, duke shtuar që “shihet një lloj mosinteresimi për të marrë pjesë në zgjidhjen e këtij problemi”.

Nikoliq ka thënë se tash duhet të shihet se çka mund të nxjerrë komuniteti serb “në kuadër të mënyrës së formimit të qeverisë së re dhe a do të ndikojë qeveria serbe dhe ne në atë politikë që udhëhiqet ndaj komunitetit serb”.

“Pa ndikim në politikë vështirë se do të mund të realizojmë gjithë këtë, kjo madje është dakorduar edhe në Bruksel, jo kjo është definuar me rezolutë në Kuvendin e Serbisë”, theksoi ai, për të shtuar që vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje ishte strategjik, i imponuar…

Ai ka shtuar që nuk ka pasur rezistencë ndaj këtij vendimi (për pjesëmarrje në zgjedhje) madje se për këtë kanë heshtur edhe opozitarët kujdestarë.