Nikoliq fut në telashe qeverinë serbe me Platformën për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka përgatitur një platformë, të cilës Serbia do të duhet t’i përmbahet në krijimin e raporteve të reja me Kosovën. Kjo platformë e tejkaluar për kohën, ka futur në telashe qeverinë e Serbisë, dhe qasja e Presidentit ka filluar të marrë kritika nga anëtarë të kabinetit qeveritar të kryeministrit, Aleksandar Vuçiq.

Lajme

08/06/2015 10:02

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq në një intervistë për televizionin B92 ka thënë se nuk e ka parë platformën për Kosovën të presidentit Tomisllav Nikoliq, duke shtuar se pavarësisht nga përmbajtja e saj, nuk duhet të ndërpritet vazhdimi i bisedimeve me Kosovën, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se më nuk duhet të ketë kthim mbrapa dhe sipas tij, Marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet.

I pyetur në lidhje me motivet platformës dhe nëse ajo është një “sabotim” i Marrëveshjes së Bruksel, Daçiq ka thënë se ësthë “joserioze” të flitet për diçka që ai nuk e ka lexuar.

Në linjë të njejtë, sa i përket kësaj platforme, duket të jetë edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka thënë se Presidenti Tomislav Nikoliq, është dashur të konsultohet me kryeministrin Aleksandar Vuçiq lidhur me platformën për Kosovën ngase ajo është një çështje e politikës shtetërore, gjë të cilën Nikoliq nuk e ka bërë.

Ai në një intervistë për “Kurir” ka thënë që nuk e ka parë platformën, ndërsa Nikoliqi është dashur të konsultohet jo me qeverinë por me kryeministrin, transmeton lajmi.net

Presidenti ka të drejtë të mbajë mendimin e tij. Por, nëse atë qëndrim do ta mbështes qeveria, parlamenti, ajo është një pyetje tjetër, përkujtoi Vulin.

Megjithatë ai nuk mendon se ka ndonjë mosmarrëveshje mes kryeministrit dhe presidentit. Ndërsa, i pyetur për zgjedhjet e jashtëzakonshme Vulin tha se ato nuk janë të nevojshme. (lajmi.net)