Niket e Shaqirit mposhtin Adidasin e Messit

Këpucët sportive të kompanisë Nike, të bartura nga një numër i madh i yjeve përfshirë Xherdan Shaqirin kanë shënuar më shumë gola se sa rivali Adidas, që përfaqësohet nga Lionel Messi.

Sport

28/06/2014 19:44

Këpucët sportive të kompanisë Nike janë duke mposhtur rivalin kryesor Adidas, sa i përket golave të realizuar në fazën e grupeve të Kampionatit botëror.

Këpucët e kompanisë më të madhe të veshmbathjeve sportive kanë sjellë 61 gola deri më tani gjatë këtij Botërori, ndërsa Adidasi i ndjek me 57.

Produkti i quajtur Adizero, i bartur nga yje si Lionel Messi, Robin van Persie, Arjen Robben, Karim Benzema dhe Thomas Muller ka kontribuar me 38 gola gjatë garës.

Kurse, produkti më i mirë i Nikes është Superfly IV i bartur nga sulmuesi i Kilit, Alexis Sanchez dhe mesfushori i Zvicrës, Xherdan Shaqiri që kanë realizuar 21 gola deri më tani. Nike po ashtu kryeson në kategorinë e asistimeve me 65 në fazën e grupeve kurse Adidasi ka bërë 54.