Nika vlerëson sezonin me Prishtinën dhe flet për të ardhmen, ka edhe një mesazh për “Plisat”

Portieri Ardit Nika ka dhënë opinionin lidhur me këtë edicion në fanellën e Prishtinës në Superligës e Kosovës.

Sport

26/05/2021 15:26

Nika u transferua te FC Prishtina gjatë afatit të janarit dhe falë paraqitjeve të mira dhe punës së madhe, ia doli të fitojë vendin në formacionin bazë, ku tani është i padiskutueshëm.

Në një intervistë për lajmi.net, Nika e cilësoi edicionin shumë të mirë, duke bërë të ditur se në fund objektivi u arrit.

“Një edicion shumë i mirë, gjithçka shkoi ashtu siç duhet. E kemi pritur shumë këtë moment dhe falë mundit ia dolëm në fund”.

Erdhi te Prishtina si zëvendësues, por falë punës arriti të zë vendin si titullar, Nika theksoi se ndihet krenar që është ‘gardiani’ i skuadrës nga kryeqyteti.

“Një periudhë shumë e mirë, shkova si zëvendësues, por falë punës dhe angazhimit arrita të bind trajnerin që të jem titullar. Ndihem shumë krenar që mbrojë ngjyrat e një klubi si Prishtina, shpresoj të vazhdojë njëjtë dhe në edicionet e ardhshme duke pasur paraqitje të mira”.

Prishtina pas plotë tetë viteve, e fitoi titullin e Superligës së Kosovës, ky titull për Nikën është edhe më i rëndësishëm duke marrë parasysh se është titulli i parë.

“Trofeu ishte ndjenja më e mirë për arsye se ishte hera e parë që e fitojë, shpresoj që të mos kenë të ndalur titujt me Prishtinën dhe të arrijë sa më lartë që është e mundur”.

I pyetur për synimet e së ardhmes, Nika bëri të ditur se fillimisht dëshiron të arrijë sa më lartë me Prishtinën, pastaj ta provojë vetën te ndonjë klub evropianë.

“Synimet janë që të arrijë sa më lartë me Prishtinën dhe më pas të dalim në ndonjë klub evropianë”.

Një ndër arsyet për këtë sukses të madh është lidhja e fortë me trajnerin Zekirija Ramadani, që i dha mundësinë të tregojë kualitetin.

“Lidhjet e mia si më trajnerët, ashtu edhe me lojtarët janë shumë të forta, kjo është një ndër arsyet e suksesit që u shpallëm kampion”.

Në fund, ‘gardiani’ i “Bardhëkaltërve” falënderoi ‘Plisat’ për mbështetjen e madhe dhe shpreson t’i gëzojë me tituj edhe në vitet në vijim.

“Plisat janë shtylla kryesore e Prishtinës, janë pranë nesh çdo sekondë dhe minutë. I kemi pranë në çdo hap dhe shpresoj t’i gëzojë edhe në vitet e ardhshme me titullin kampion e sidomos vitin tjetër, ku Prishtina do bëjë 100 vjet nga krijimi i tyre, derisa Plisat 35 vite”, nënvizoi ai për lajmi.net.

Në 11 paraqitje, Nika mbajti portën e paprekur për plotë shtatë herë./Lajmi.net/