Ngritja e Kosovës në biznes

Në të bërit biznes, Kosova ka kaluar shtetet e rajonit, Shqipërinë e Serbinë, të cilat janë radhitur në vendin 90 dhe 93, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, por edhe Kroacinë, e cila është në vendin 89.

Lajme

29/10/2013 10:13

Kosova ka shënuar një ngjitje prej 13 vendesh në raportin e sivjetmë të Bankës Botërore në krijimin e kushteve të favorshme për biznesin.

Raporti “Doing Business” (Të Bërit Biznes) i cili vlerëson ekonomitë botërore veç e veç, këtë vit e ka radhitur Kosovën në vendin e 86’të, në krahasim me vendin 98 që e kishte vitin e kaluar.

Kësisoj, Kosova ka kaluar në të bërit biznes shtetet e rajonit, Shqipërinë e Serbinë, të cilat janë radhitur në vendin 90 dhe 93, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, por edhe Kroacinë, e cila është në vendin 89.

Raporti thotë se Ukraina, Ruanda, Federata Ruse, Filipinet dhe Kosova janë në mesin e ekonomive që janë përmirësuar më së shumti në periudhën 2012/2013 në fushat e përcjella nga Doing Business.

Raporti i sivjetmë është i 11-ti me radhë në serinë e raporteve vjetore që hulumton rregulloret të cilat forcojnë aktivitetin e biznesit dhe ato të cilat pengojnë atë. Raporti paraqet indikatorë kuantitativë në rregullimin e bizneseve dhe mbrojtjen e të drejtave të pronës të cilat mund të krahasohen në mesin e 189 ekonomive të botës.

BB e ka vlerësuar Kosovën sidomos në tri fusha të të bërit biznes.

“Kosova e ka bërë fillimin e një biznesi më të lehtë duke krijuar one- stop shop për korporata”.

“Kosova e ka bërë më të lehtë punën për lejet e ndërtimit duke eliminuar kërkesat për validimin e projekteve kryesore të ndërtimit, duke eliminuar tarifat për pranim teknik nga komuna dhe duke zvogëluar tarifat për lejet e ndërtesave”.

“Kosova e ka bërë më të lehtë transferimin e pronës duke futur në funksion një sistem të ri të noterisë dhe duke kombinuar procedurat për hartimin dhe legalizimin e marrëveshjeve të shitjes blerjes”, thuhet në raport.