Ngritët aktakuzë për inkasantin e KEDS-it që përvetësoi para në Pejë dhe Istog

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj një inkasanti të KEDS-it, pasi që i njëjti dyshohet se ka përvetësuar para nga disa qytetarë.

Lajme

25/02/2019 15:41

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.B.,  për shkak të veprës  penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 1, të KPRK, dhe veprën penale  “Mashtrimi”, nga neni  335, paragrafi 1,të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., nga data 19 dhjetor 2017 e gjerë me datë 2 mars të vitit 2018, në komunë të Pejës dhe Istogut, në cilësinë e inkasantit të kompanisë KEDS,  kishte përvetësuar  shumën e parave prej 290 eurosh,  nga të dëmtuarit, R.M., Q.K., E.G., dhe N.Z., në emër të inkasimit për energjinë elektrike të shpenzuar dhe për t’i deponuar tek zyrat e KEDS-it, mirëpo të njëjtat i kishte përvetësuar.

“Të pandehurit, edhe pse ju kishte ndërprerë marrëdhënia e punës nga kompania KEDS me datën 4 maj 2018,  i njëjti me datën 28 maj 2018, në fshatin Suhogerllë të komunës se Istogut,  përmes paraqitjes se fakteve të rreme, kishte veshur uniformës e punës duke u paraqitur si punëtor i KEDS-it, kishte përvetësuar shumën e të hollave prej 70 (shtatëdhjetë) euro, nga të dëmtuarit Sh.S., dhe I.V, kinse për pagesë të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë. /Lajmi.net/