Ngritet Aktakuza ndaj “Grupit të Drenicës”
EULEX konfirmon ngritjen e aktakuzës ndaj \"Grupit të Drenicës\". Aty, siç mësohet, akuzohen për vrasje Sami Lushtaku, Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të tjerët akuzohen për vepra të torturës. Avokati Tomë Gashi thotë të mos ketë marrë asgjë zyrtare për këtë.

Lajme
Prokurori i EULEX’it, Maurizio Salustro, ka ngritur aktakuzë kundër ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimit dhe ish bashkëluftëtarëve të tij të tjerë, të njohur si “Grupi i Drenicës”.
Zyra për Informim e EULEX’it e ka konfirmuar për lajmi.net ngritjen e kësaj aktakuze.
Gjatë ditë së djeshme, lajmi.net, ka raportuar që sot pritet Ngritja e Aktakuzës për “Grupin e Drenicës”.
Ndërsa Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, ka thënë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për aktakuzë të ngritur ndaj klientit të tij dhe të akuzuarve të tjerë.
“Deri në këto momente unë si avokat nuk jam i njoftuar nga askush që është ngritur ndonjë aktakuzë ndaj Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Selimi, Lushtaku dhe të akuzuarit tjerë nga “Grupi i Drenicës” gjenden në paraburgim që nga 31 maji i këtij viti.
Të dyshuarit e “Grupit të Drenicës” akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile që supozohet se kanë ndodhur në burgun e Likovcit gjatë verës 1998. Po ashtu, dyshohen edhe për vepra të torturës dhe vrasjes së civilëve.
Ndër të akuzuarit janë: Sylejman Selimi, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, Sami Lushtaku, Kryetar i Skenderajt, Nexhat Demaku, Kryetar i Drenasit, Fadil Demaku, Deputet i Kuvendit të Kosovës, Sabit Geci, dhe ish-pjesëtar tjerë të UÇK’së.
Në aktakuzë, siç mësohet, akuzohen për vrasje Sami Lushtaku, Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të tjerët ndërkaq, akuzohen për vepra të torturës.
Tomë Gashi është shprehur se më 24 tetor, kur u është vazhduar paraburgimi të dyshuarve, kërkesa e prokurorit Salustro ka qenë e justifikuar me atë se “brenda disa ditëve do të ngritet aktakuza”.
“Meqenëse Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe të tjerët gjinden rreth 6 muaj paraburgim, dhe meqenëse duket që prokurori ka një ndikim tepër të madh në gjykatë, unë si avokat nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme dhe befasuese nëse ai ngrit aktakuzë edhe sot ngase këtë ai e ka paralajmëruar disa herë në formë të shkruar duke deklaruar se ajo do të ngritet për disa javë, ndërsa më 24 tetor ka thënë se aktakuza do të ngritet brenda disa ditëve”.
“Ngritja e aktakuzës formalisht do të na dërgojë në një fazë tjetër të këtij rasti ku në një gjykim të ardhshëm pas ngritjes së aktakuzës besojmë se duhet të jetë një gjykim i drejtë dhe i ligjshëm”.
“Unë pres me bindje të plotë lirimin nga akuza dhe pafajësinë e Sylejman Selimit por edhe besoj edhe të bashkëluftëtarëve të tjerë të tij të akuzuar në këtë çështje ngase në bazë të të ligjit të drejtësisë Selimi nuk do të duhej të ishte asnjë ditë në paraburgim”, ka thënë avokati Gashi.