Ngjyra e kuqe shumë i ngjan

Mimoza Kusari–Lila thotë se ka ardhur koha që Gjakova të qeveriset për së mbari nga 1 dhjetori. Ajo tha se rivalit të saj i ka mbetur vetëm edhe një ditë punë, pasi të dielën do të votohet për ndryshimin e madh në Gjakovë.

Lajme

28/11/2013 21:38

Mimoza Kusari-Lila ishte në qendër të vëmendjes, para mijëra simpatizantëve të saj, me veshjen e saj kuq e zi,  në shënimin e Ditës së Flamurit.

Kandidatja e Aleancës për Kosovën e Re, në shënim të 101 vjetorit të shtetit shqiptar, organizoi në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, një koncert të quajtur “Festo me Mimozën” ku performuan artistë nga Gjakova dhe Shkodra.

Festa e nisur sot Kusari-Lila pret që të vazhdojë deri më 1 dhjetor kur ajo beson fort se do ta mundë përfundimisht rivalin e saj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ish Zëvendëskryeministrja e Kosovës tha para mbështetësve të saj se ka kandiduar për Kryetare të Gjakovës për të çuar në vend amanetin e tyre për një qytet më të mirë, raporton Radio Gjakova.

“Ismail Qemali ka thënë: Unë nuk jam mirë, kur nuk është Shqipëria mirë, dhe po ju them para jush se, as unë nuk jam mirë kur Gjakova nuk është mirë”.

“Gjakova nuk është mirë, se akoma të rinjtë ikin”.

“Gjakova nuk është mirë, se politika ka hyrë në çdo pore të jetës sonë”.

Komuna, siç thuhet, kishte refuzuar lejen për mbajtjen e këtij koncerti në Pallatin e Sporteve. Por, për Mimoza Kusarin kjo nuk paraqet problem.

“Ne do të ishim më rehat në pallatin e sporteve, por dikush tha ‘jo’, sepse i penguan vlerat që u prezantuan sonte”.

“Por, a e dini çka, ata e kanë vetëm edhe një ditë pune. Më 3 nëntor votuan ndryshimin, një standard që i shkon përshtat kësaj komune, votuan që Gjakova të kthehet si prijëse, si vend i dijes, arsimit, shkencës e kulturës dhe kështu do të votojnë edhe për 1 dhjetor”.

Kusari-Lila ka dërguar fjalë edhe për taborin e AAK’së, duke thënë se do jetë kryetare edhe për ata, se nuk do t’i ndajë investimet në bazë të votave, por do punojë për një komunë më të mirë dhe të bashkuar.

“Koha jonë ka ardhur, Gjakova do të qeveriset për së mbari nga 1 dhjetori”.

“E kam thënë shpesh dhe do ta them prapë: Gjakova është një dhe e pandarë”.