Ngjela: Ai që i ka votat e bën qeverinë
Avokati dhe politikani i njohur në Shqipëri, Spartak Ngjela, duke komentuar zhvillimet në Kosovë, thotë se koalicioni i grupit opozitar është i ligjshëm. Ai vlerëson se Hashim Thaçi gaboi. Ndërsa procesin zgjedhor e vlerëson më të mirë se ata në Shqipëri.
Lajme
Avokat Ngjela në një intervistë për KosovaPress, thotë se ai që nuk i ka 61 deputetë është i humbur. Sipas tij, kështu është demokracia.
“Të tjerët u treguan më të mençur dhe vepruan më përpara. Fakti që e bën përpara se sa të hapej Parlamenti donin të tregonin që si thotë ajo shprehja e vjetër e Ciceronit: \”E vetmja shpresë e të humburit, është të mos ketë asnjë shpresë.\” Pra çështja është që nuk i lanë mundësi që ai të krijonte konsensusin e tij ose kompromisin e tij me parti të tjera, me të cilat mund të bënte 61 deputetë, të paktën sipas lajmeve që kanë ardhur nga Kosova”.
“Sepse konsensusi për të cilin po flasim pretendon se i ka 61 deputetë, dhe unë mendoj se i ka. Çështja është pse Limaj dhe Haradinaj nuk u bashkuan me të (Thaçin). Atëherë diçka lëviz të absolutizmi. Ne duhet të kalojmë nga psikologjia e liderit absolut te psikologjia e politikanit”.
Kur pyetet për procesin zgjedhor në Kosovë dhe mbarëvajtjen e tij, Ngjela thotë se ai është shumë më serioz se sa ai në Shqipëri.
“Ne ende nuk kemi arritur të bëjmë një proces zgjedhor serioz. Siç duket është diferenca midis Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë kjo që po shohim. E them këtë sepse kam përshtypjen se Kosova po ecën më shpejt drejt demokracisë se ne, pavarësisht se këtu ka më shumë traditë nacionale, më shumë kulturë kombëtare, më shumë histori. Por fakti është fakt, këtë e konstatova edhe nga procesi zgjedhor por edhe nga postprocesi zgjedhor. Në të dyja rastet shoh se ka kulturë demokratike më shumë se sa në Shqipëri”.
Duke folur për ligjshmërinë e koalicionit, Ngjela thotë se asnjë koalicion dhe asnjë konsensus nuk mund të jetë i paligjshëm në demokraci.
“Demokracia është konsensus dhe jo forcë. Unë e pashë me vëmendje Kushtetutën e Kosovës, është normale si të gjithë Kushtetutat demokratike të botës, që partia e parë thirret e para dhe nëse ajo nuk i bën dot 61 deputetë, atëherë thirret partia e dytë, ose koalicioni i dytë”.
“Por ajo që më bëri përshtypje dhe që tregon se ende kemi influenca të pasionit totalitarë, është se nuk duhet të flisnim përpara se të fliste Presidentja, sepse kjo është kompetencë ekskluzive e Presidentes. Ajo është garantja e Kushtetutës, por edhe zbatuesja e saj. Atëherë çfarë kanë këta, pse flasin, kërkojnë ti bëjnë presion Presidentes. Naivitet”.
“Ajo ka fluksin konstitucionalist brenda vetes, precedentin botëror, ka konsultimet me ndërkombëtarët (në kuptimin profesional dhe jo politik), dhe e zgjidh ajo këtë çështje. Por unë mendoj se i ka ardhur në dorë një çështje, një fakt, i cili do ta fus shumë shpejt në histori. Unë kam pasur respekt për qëndrimin e saj, madje më ka habitur në shumë raste. Por fati i plasoi këtë rast i cili duhet të zgjidhet drejt”.
Tutje, ai thotë se nuk ka më nevojë politika shqiptare, elita shqiptare, për lider që dalin mbi konsensusin, mbi Kushtetutën, dhe krijojnë sundim.
“Unë nuk di se çfarë ka bërë Thaçi realisht në Kosovë, por di që dy parti që dalin nga partia e tij, nuk pranojnë bashkëpunim politik me të. Pra Thaçi ka gabuar politikisht përderisa nuk i mori këta të dy”.
“Është eksperiencë politike e pamundur dhe fakti që ka tentuar ndaj liderit absolut, ka humbur ndjesitë politike. Kosova ka nevojë për politikan jo për lider, e kishte një lider i cili vdiq”.