Ngjarjet e vitit 2019 në basketbollin kosovar

Viti 2019 ishte shumë i ngjeshur me aktivitete për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe u zhvilluan shumë ngjarje në vitin që po lëmë pas.

Sport

27/12/2019 13:05

Një nga ngjarjet kryesore ishte zhvillimi i Kampionatit Evropian, Divizioni B për Femra U20 në Prishtinë. Organizimi ishte në nivel të jashtëzakonshëm dhe për këtë FBK-ja u përgëzua nga FIBA, derisa shtëpia e basketbollit botëror i besoi edhe organizimin e Kampionatit Evropian, Divizioni C për Meshkuj U16, që do të mbahet gjatë vitit të ardhshëm në Prishtinë.

Po ashtu një ngjarje e rëndësishme ishte vizita e presidentit të FIBA Evropës, Turgay Demirel në muajin gusht, që ishte vizita e tij e parë si president i FIBA Evropës në Kosovë. Ai përgëzoi drejtuesit e FBK-së për punën që ka bërë, sidomos me gjeneratat e reja, derisa ofroi ndihmën e tij për basketbollin e Kosovës.

Gjatë verës, 6 Kombëtaret e reja të Kosovës, U20, U18 dhe U16 në të dyja konkurrencat u paraqitën në Kampionate Evropiane, Divizioni B. Po ashtu për herë të parë u formua Liga U14 te femrat me përkrahjen nga FIBA.

Gjithashtu u zhvilluan edhe seminare me trajnerë dhe gjyqtarë. Këta të fundit gjykuan në shumë ndeshje ndërkombëtare.

11 janar 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marr vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës për vitin 2019 të organizohet në Rahovecë nga klubi i basketbollit Rahoveci. Në konkursin e  hapur nga FBK prej 28 dhjetor 2018 deri më 9 janar 2019 për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Rahoveci, duke i plotësuar të gjitha kushtet në bazë të konkursit dhe Udhëzuesit për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës. Final 8 i Kupës së Kosovës është zhvilluar prej 27 shkurt deri më 3 mars.

11 janar 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) paralelisht me Final 8 të Kupës së Kosovës e ka organizuar FIBA Kampin për Gjyqtarët Potencial dhe FIBA SCOD Kampin për gjyqtarët e FBK-së. Në FIBA Kampin për Gjyqtarët Potencial pjesëmarrës kanë qenë 3 gjyqtarë të FBK-së dhe 6 gjyqtarë nga Evropa, dhe që të gjithë këta së bashku e kanë ndarë drejtësinë në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës. FIBA Evropa gjatë organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës i ka nominuar edhe instruktorët e saj, të cilët e kanë udhëhequr programin dhe e kanë bërë vëzhgimin e gjyqtarëve në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës.

7 shkurt 2019

Z Mobile Prishtina në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë e ka mposhtur ekipin turk Pinar Karsiyaka me rezultat 82:78. Me këtë fitore dhe në një atmosferë mbresëlënëse të krijuar nga tifozët e pranishëm në palestër skuadra nga kryeqyteti e ka siguruar një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të FIBA Europe Cup dhe kështu e ka arritur një sukses që kurrë më parë nuk e ka arritur një klub shqiptar në garat ndërkombëtare.

25 shkurt 2019

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll në prani të rreth 3000 shikuesve në Prishtinë ka pësuar disfatë nga Rumania me rezultat 79:75 (14:21, 25:17, 17:23, 23:14). Kjo ndeshje i ka takuar raundit të dytë të Grupit B të fazës parakualifikuese për Eurobasket 2021. Në kuadër të këtij raundi Kosova në katër ndeshje ka regjistruar po aq humbje, dy si nikoqir dhe dy si mysafir.

3 mars 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) më 03.03.2019 në Kuvendin Komunal në Rahovec e ka mbajtur Kuvendin e Punës. Të pranishëm ishin 33 nga 42 delegatë sa numëron Kuvendi i FBK-së. Duhet theksuar se ky është viti i katërt radhazi që FBK e organizon Kuvendin e Punës në qytetin ku edhe organizohet Final 8 Kupa e Kosovës.

3 mars 2019

Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat janë shpallur fituese të Kupës së Kosovës për edicionin 2018/19. Basketbollistët bardhekaltër në finalen e madhe të luajtur në Rahovec kundër Rahovecit në një atmosferë fantastike dhe në prani të rreth 3500 shikuesve kanë triumfuar me rezultat 96:60. Kapitenit të skuadrës së Z Mobile Prishtinës, Edmond Azemit trofeun e kupës ia dorëzoi numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu. MVP i Final 8 Kupës së Kosovës u zgjodh Dardan Berisha, basketbollist i Z Mobile Prishtinës, kurse çmimin ia dorëzoi Valton Bilalli, anëtar i Bordit të FBK-së. Para finales së meshkujve është zhvilluar edhe finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, ku Prishtina pa asnjë telashe e ka mposhtur Penzën me shifrat 81:51. Kapitenes së Prishtinës, Irma Konjushës trofeun e kupës ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, derisa medaljet e arta dhe të argjenda i ndanë anëtaret e Bordit të FBK-së, Linda Shala, Kimete Haliti dhe Learta Berisha. MVP në konkurrencën e femrave u zgjodh Irma Konjusha, basketbolliste e Prishtinës, ndërsa cmimin ia dorëzoi Linda Shala, anëtare e Bordit të FBK-së.

Krahas finaleve të Kupës së Kosovës në të dyja konkurrencat, të dielën është zhvilluar edhe finalja e Kupës së Ligës së Parë, ku ka triumfuar Feronikeli në përballje me Vëllaznimin me rezultat 81:80.

10 mars 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të dielën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec në bashkëpunim me KB Rahoveci e kanë organizuar aktivitetin e radhës për vajzat e reja në kuadër të projektit FIBA Europe Girls’ Program.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet kanë qenë 250 vajza nga të gjitha viset e Kosovës të moshës 9 deri në 16 vjeç, ndërsa kanë asistuar 15 trajnerë/e të ekipeve të ndryshme të gjeneratave të reja në konkurrencën e femrave.

Me këtë aktivitet FBK në mbështetje të FIBA-s e kanë shënuar edhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa FBK po ashtu nëpërmjet këtij aktiviteti të organizuar në Rahovec ka dashur që të promovojë edhe basketbollin e femrave në këtë qytet, duke marr parasysh tashmë interesimin e madh për këtë sport pas përfundimit të punimeve në palestër dhe organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës ditë më parë në këtë palestër.

Në këtë aktivitet janë zhvilluar lojëra të ndryshme argëtuese, ku janë shpërndarë edhe shpërblime të ndryshme nga FBK.

14 mars 2019

Z Mobile Prishtina është mposhtur edhe si mysafire nga Pallacanestro Varese dhe me këtë rast edhe i ka përfunduar garat në FIBA Europe Cup. Takimi i luajtur në Varese ka përfunduar me shifrat 100:84. Z Mobile Prishtina i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e kësaj skuadre në FIBA Europe Cup, e që ishte edhe suksesi më i madh historik në nivel të klubeve në basketbollin kosovar.

25 mars 2019

Në organizim të KB Golden Eagle Ylli dhe në mbështetje të Federatës së Basketbollit të Kosovës në Suharekë është organizuar një ndeshje revyale për nder të dëshmorëve të rënë të familjes Berisha nga Suhareka, si dhe për nder të ndjerit Isuf Lumi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i FBK-së. I ndjeri Isuf Lumi ka qenë kryetari i parë i FBK-së pas mëvetësimit të sportit të Kosovës, ndërsa pasluftës për disa vite radhazi ka qenë në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të FBK-së, duke kontribuar kështu maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë. Ndeshja revyale, në të cilen janë takuar Golden Eagle Ylli dhe lojtarët të huaj te Superligës se Kosovës përfundoi me rezultat të barabartë 117:117.

15 prill 2019

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku prej 12 deri më 14 prill 2019 ka qëndruar në Sopron të Hungarisë, ku është zhvilluar Final Four i Euro League Women. Krahas ndeshjeve të Final Four, Dushku ka marr pjesë edhe në aktivitetet tjera të organizuara nga FIBA dhe organizatori, pra skuadra e Sopronit.

20 prill 2019

Feronikeli ka shkruar historinë duke u inkuadruar në elitën e basketbollit kosovar, pasi e ka mposhtur në ndeshjen e tretë finale të play-offit skuadrën e Vëllaznimit me rezultat 70:49. Për fitoren e Feronikelit u dallua Art Hajdari me 23 pikë, ndërsa me loje të mire u dalluan edhe Desmond Gattis me 14 dhe Beq Kovaqi me 11 pikë. Te Vëllaznimi me i dalluari ishte Atik Koshi me 12 pikë.

23 prill 2019

Sot në zyre të Federata së Basketbollit të Kosovës (FBK), kjo e fundit në bashkëpunim me organizatën “Autizmi Flet” kanë organizuar konferencë për media për ti shpalosur detajet e organizimit të aktivitetit të përbashkët kushtuar personave me autizëm me moton “Bashko Pjesën Tënde”.

Aktiviteti i FBK-së dhe organizatës “Autizmi Flet” do të mbahet më 27 prill (e shtunë) prej orës 12:00 deri në 14:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Të pranishme në konferencë ishin Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Violeta Hyseni, Drejtoreshë e OJQ-së “Autizmi Flet”-Kosovë dhe Sara Habibaj, anëtare e Bordit Profesional të kësaj organizate.

26 prill 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka falënderuar Unionin Amator të Sportistëve (AAU) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për donacionin e dhënë në formë të pajisjeve sportive. Unioni Amator i Sportistëve (AAU) e ka ndihmuar së fundi FBK-në me numër të madh topave të basketbollit, fanella dhe rekuizita të tjera, të cilat Federata e Basketbollit të Kosovës do ti shfrytëzoj për Përfaqësueset e Reja të Kosovës, si dhe në të ardhmen e afërt do t’i jap në formë të donacioneve klubeve të kategorive të reja, në të dyja konkurrencat. Drejtuesit më të lartë të Unionit Amator të Sportistëve (AAU) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të prirë nga presidenti i kësaj organizate, Roger Goudy kanë qëndruar për një vizitë disa ditore në Kosovë, ndërsa janë takuar edhe me Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun, e cila e ka shprehur në emër të FBK-së mirënjohjen për donacionin e ofruar me pajisje sportive.

27 prill 2019

Vashat e Prishtinës kanë fituar ndaj Bashkimit në ndeshjen e pestë në serinë finale me rezultat 71:76 dhe janë shpallur kampione të Kosovës. Finalja e femrave ka qenë shumë interesante me Prishtinën dhe Bashkimin që kanë dhuruar spektakël në secilin takim. Seria e finaleve ka qenë e barabartë me të dyja klubet që kanë fituar nga dy ndeshja dhe fituesi është përcaktuar në ndeshjen e pestë.

6 maj 2019

Prej 11 deri më 15 Korrik 2019 në Postojna të Sllovenisë do të mbahet Kampi “FIBA European Women’s Basketball Summit”, i cili organizohet për vitin e 13-të radhazi nga FIBA Evropa dhe Federata e Basketbollit të Sllovenisë.

Në këtë Kamp organizatorët kërkojnë nga Federatat Nacionale të Evropës që të nominojnë 2 basketbolliste nën 15 vjeç, 1 trajnere (femër) dhe 1 gjyqtare (femër).

Ndërkaq Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që Kosovën në këtë aktivitet ta përfaqësojnë Saranda Daci në cilësinë e trajneres, Irma Konjusha në cilësinë e gjyqtares dhe Gresa Berisha e Xheneta Dacic të dyja këto basketbolliste nga Peja.

Kampi i basketbollisteve do të jetë i fokusuar në zhvillimin e aftësive individuale, në veçanti mbi bazat specifike për lojtaret fundore dhe ato që luajnë në pozitat alo-qendër ose qendër, andaj edhe secilës Federatë Nacionale iu është kërkuar nga organizatorët që të dërgojnë lojtare të këtyre pozitave.

11 maj 2019

Në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, u zhvillua ndeshja e katërt finale e Superligës së Kosovës në basketboll, ndërmjet Rahovecit dhe Prishtinës, e cila përfundoi me fitoren e mysafirëve, me rezultat 105:74. Për Prishtinën ky ishte titulli i 15-të i kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll.

21 maj 2019

Prej 16 deri më 21 maj 2019 në Kosovë kanë qëndruar dy trajnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ruthie Bolton dhe Chineze Nwagbo.

Ardhja e tyre është mundësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Departamenti i Shtetit Amerikan në Uashington në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte motivimi i vajzave të reja për tu marr me basketboll, sensibilizimi i opinionit në Kosovë në mbështetje të sportit femëror, në këtë rast basketbollit, por edhe motivimi i përfshirjes së komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë në klubet kosovare të basketbollit.

Trajneret amerikane kanë pasur mundësinë që përvojat e tyre ti ndajnë me vajzat e reja të moshës prej 8 deri në 16 vjeç në Graçanicë, Mitrovicë, Prizren, Ferizaj dhe Rahovec. Dhe për gjatë këtyre pesë ditëve sa ka zgjatur ky projekt kanë qenë 320 vajza që kanë marr pjesë në këtë aktivitet, e që ky numër për Federatën e Basketbollit të Kosovës do të thotë shumë për faktin se në aktivitetin e fundit të organizuar në Rahovec për këtë grupmoshë në mars të këtij viti numri i vajzave ka qenë 220 sosh dhe tani brenda dy muajve është rritur për 100 vajza.

Dy trajneret amerikane me këtë rast e kanë vizituar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku janë takuar me kryetarin Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.

4 qershor 2019

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku ka qenë e pranishme në Konventën Evropiane të Mini Basketbollit 2019 që është mbajtur më 1 dhe 2 qershor në Gjenevë të Zvicrës. Konventa është organizuar nga FIBA Evropa në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Zvicrës dhe me Fondacionin Ndërkombëtar të Basketbollit (IBF) që është në kuadër të FIBA Botës. Në këtë Konventë kanë marr pjesë përfaqësues të 28 Federatave Nacionale të Evropës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i FIBA Botës, Andreas Zagklis dhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak.

10 qershor 2019

20 basketbollistë të rinj nga Kosova kanë marr pjesë në kampin në SHBA, përkatësisht në San Antonio të Teksasit. Ata kanë udhëtuar më 10 dhe kanë qëndruar deri më 20 qershor. Kjo është mundësuar falë bashkëpunimit Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Basketbollistët nga Kosova janë përzgjedhur për Programin e Lidershipit Rinor përmes Sportit (YLS). Kampi u ka ofruar basketbollistëve dhe basketbollisteve të rija, si dhe trajnerëve të tyre mundësi për të zhvilluar aftësi në punën në grup, jetesë të shëndetshme dhe vetë-disiplinë në një mjedis multikulturor.

18 qershor 2019

Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur më 17.06.2019 në Munich të Gjermanisë i ka emëruar anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës. Në këtë mënyrë për herë të parë në Komisione të FIBA Evropës kanë zënë vend edhe përfaqësuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Bëhet fjalë për kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, i cili është emëruar anëtar i Komisionit Ligjor (FIBA Europe Legal Commission) dhe për Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, e cila është emëruar në Komisionin e të Rinjve (FIBA Europe Youth Commission). Kjo është dëshmia më e mirë që FIBA Evropa po e vlerëson punën e madhe që Federata e Basketbollit të Kosovës po e bën për zhvillimin e basketbollit kosovar në përgjithësi. Anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës kanë mandat katërvjeçar, pra prej 2019 deri më 2023.

23 qershor 2019

Më 23 Qershor është bërë një vit nga vdekja e basketbollistit të njohur, Gazmend Sinani. Ai ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, një basketbollist dhe person i jashtëzakonshëm. Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, me në krye Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku dhe Drejtorin e Përfaqësueseve, Granit Rugova, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule te varri i Sinanit. Ata kanë kujtuar Gazin, si një lojtar, si një njeri i mirë dhe i dashur për të gjithë. Sinani nuk do të harrohet asnjëherë nga adhuruesit e basketbollit. Në nderim të tij, numri 15, është pensionuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

30 qershor 2019

Kosova ka debutuar në garat 3×3, ku mori pjesë në kualifikimet e 3×3 në FIBA Europe Cup, që u zhvilluan në Konstanca të Rumanisë. “Dardanët” në ndeshjen e parë u ballafaquan me super fuqinë botërore në këtë sport, Slloveninë. Përkundër angazhimit, sllovenët ishin më të mirë dhe shfrytëzuan përvojën e tyre në këtë garë, duke fituar në fund me rezultat 21:8. Më pas Kosova u takua me Andorrën, ku dominoi totalisht, duke fituar bindshëm 21:6. Kështu Kosova debutoi me një fitore dhe një humbje, duke u renditur e dyta, që është një sukses duke marrë parasysh se ishte hera e parë që merr pjesë në gara të tilla.

5 korrik 2019

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka lavdëruar punën e Sekretares së Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku për punën që ka bërë me femrat në basketboll. Kosnett ka përmendur punën e Dushkut në fjalimin e tij për nder të 4 Korrikut duke marrë edhe shembuj tjerë të punës dhe suksesit në Kosovë, kurse Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së ka treguar edhe aftësi të madhe si lidere. Ajo është arsyeja që shumë femra merren me sport, si dhe ka treguar aftësi në menaxhim, duke qenë shembull edhe për të tjerët në Kosovë.

14 korrik 2019

Basketbollistet e Kosovës U18 kanë përfunduar në vendin e 22-të në Kampionatin Evropian, Divizioni B në Shkup. Në duelin për vendin e 21-të, Kosova pësoi nga Maqedonia Veriore me rezultat 65:86.

20 korrik 2019

Prej 7 derië 20 Korrik në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës, FIBA Evropës, Ministrisë së Sportit, Komunës së Suharekës dhe KB Golden Eagle Yllit është organizuar Kampi Nacional U14 për djem dhe vajza në të cilin pjesëmarrës ishin 80 basketbollistë dhe basketbolliste, si dhe 20 trajnerë/e. Kampi Nacional i FBK-së ka për qëllim identifikimin e talenteve të Kosovës, si dhe zhvillimin dhe edukimin e trajnerëve.

21 korrik

Basketbollistët e Kosovës U-20 kanë përfunduar në vendin e 18-të në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që u mbajtur në Portugali. Në ndeshjen për vendin e 17-të kanë pësuar nga Rumania me rezultat 66:56, në një ndeshje me shumë kthesa. Dardanët e rinj janë munduar të përfundojnë Evropianin me fitore, por nuk e arritën qëllimin, derisa kështu e përfunduan në vendin e 18-të nga 21 Kombëtare sa kanë marrë pjesë.

26-28 korrik

Kosova e ka mundur Shqipërinë edhe në miqësoren e dytë të zhvilluar brenda dy ditësh në Prishtinë. Dardanët fituan me rezultat 88:71 (22:18, 21:11, 18:19, 27:23). Në takimin e parë Dardanët e fituan 98:85.

3 gusht 2019

Prej 3 deri më 11 Gusht në Prishtinë është organizuar FIBA Kampionati Evropian U20, Divizioni B, për Femra. Ndeshjet e para janë zhvilluar nga ora 16:30, derisa më pas është zhvilluar ceremonia hapëse, e organizuar në mënyrë të përkryer. Në këtë ceremoni, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se, Kosova po dëshmon në organizime të ngjarjeve të mëdha, siç është Evropiani në Prishtinë, derisa ka falenderuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës për këtë organizim të rrallë dhe për punën që po bënë, sidomos me gjenerata të reja. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka deklaruar se, është privilegj për Federatën që organizojnë një Kampionat të tillë. Dushku shtoi se ky Evropian është shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, sidomos atë të femrave. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe shumë personalitete të tjera.

4 gusht 2019

Basketbollistët e Kosovës U18 e kanë përfunduar me fitore Kampionatin Evropian, Divizioni B, të mbajtur në Rumani. Në ndeshjen për vendin e 23-të, Dardanët e rinj e kanë mundur Luksemburgun me rezultat 67:49.

7 gusht 2019

Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel më 7 gusht ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahun dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku. Zyrtarët e FBK-së e kanë njoftuar Presidentin e FIBA Evropës për rrjedhën e Kampionatit Evropian, Divizioni B, për femra U20, që ishte duke u organizuar në atë kohë në Prishtinë. Demirel është shprehur i kënaqur për mbarëvajtjen e Kampionatit dhe punën që po bënë Federata e Basketbollit në organizimin e këtij Evropiani shumë të rëndësishëm. Presidenti i FIBA Evropës edhe një herë është shprehur se do të ndihmojë basketbollin e Kosovës. Ai theksoi se basketbolli i Kosovës ka bërë hapa të mëdha dhe meriton një vend special edhe në FIBA.

11 gusht 2019

Bullgaria është shpallur kampione e Kampionatit Evropian, Divizioni B, për femra U20, që për tetë ditë me radhë u mbajt në Prishtinë. 12 kombëtare luftuan nga fillimi, derisa në fund ishin vashat bullgare ato që triumfuan, duke mundur në finale Finlandën, në një ndeshje të jashtëzakonshme me rezultat 80:75. Kjo ishte hera e parë që një Evropian i Divizionit B u mbajt në Prishtinë dhe u organizua për mrekulli nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Në ceremoninë mbyllëse janë shpallur edhe më të mirët e Evropianit: Lotta Vehka-aho nga Finlanda, Holly Ëinterburn nga Britania e Madhe, Karina Konstatinova nga Bullgaria, Claire Melia nga Irlanda dhe Awak Kuier nga Finlanda. Lotta Vehka-aho nga Finlanda u shpall MVP i Evropianit, derisa çmimin ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

17 gusht 2019

Kosova U16 (M) ka përfunduar Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Mal të Zi. Djelmoshat e rinj kosovarë në ndeshjen e fundit, kanë pësuar nga Norvegjia me rezultat 44:84, në ndeshjen e vlefshme për vendin e 23-të në këtë Evropian. Kosova kishte vetëm një fitore në këtë Evropian, duke mundur Norvegjinë në grupe, por që në ndeshjen e fundit kanë pësuar pikërisht në përballje me ta dhe kështu në vitin 2020 do të bëjnë gara në një nivel më të ulët të garave, pra në Divizion C.

17 gusht 2019

Britania e Madhe e ka mundur Kosovën 101:79 (24:12, 30:20, 24:23, 23:24) në Mançester për tu kualifikuar në rrethin e ardhshëm. Kjo ishte ndeshja e fundit e Kosovës në parakualifikimet e Eurobasket 2021. “Dardanët” në këtë cikël të garave kishin një fitore dhe tre humbje.

24 gusht 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës e ka falënderuar trajnerin Damir Mulaomerovic, i cili prej gushtit të vitit të kaluar dhe deri në gusht të këtij viti ka qenë në krye të Përfaqësueses A të Kosovës. FBK dhe Mulaomerovic patën nënshkruar kontratë njëvjeçare dhe e njëjta është respektuar nga të dyja palët.

24 gusht 2019

Kosova U16 (F) ka përfunduar në vendin e 20-të në Kampionatin Evropian Divizioni B në Sofje të Bullgarisë. Vashat e Kosovës në luftë për vendin e 19-të kanë pësuar nga Austria me rezultat 34:45, duke përfunduar kështu në pozitën e 20-të nga 23 shtete.

29/30 gusht 2019

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku e ka përfaqësuar FBK-në në Kongresin e 21-të të FIBA Botës, që është mbajtur në Pekin të Kinës më 29 dhe 30 Gusht.Dushku gjithashtu do të marrë pjesë në Ceremoninë Solemne të hapjes zyrtare të FIBA Kampionatit Botëror që është zhvilluar gjithashtu në Kinë, si dhe ka qenë mysafire në dy ndeshje të Botërorit, Bregu i Fildishtë-Kina dhe Polonia-Venezuela.Dushku në Kongresin e FIBA Botës ka qenë delegate me të drejtë vote në zgjedhjet që janë organizuar për Presidentin dhe Bordin e FIBA Botës.

3 shtator 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës e ka marr dritën e gjelbër nga Fondi për Zhvillim i Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës edhe për një vit (2019-2020). Në fakt ky projekt është dyvjeçar dhe vetëm pas raporteve të punës në detaje dhe raporteve financiare në detaje që dorëzohen në FIBA Evropë nga Federatat Nacionale pas përfundimit të vitit të parë të projektit, dhe vetëm nëse janë në rregull raportet në fjalë, atëherë FIBA Evropa vendos për ta vazhduar projektin edhe për një vit, duke e mbështetur Federatën Nacionale edhe me 40,000.00 Euro për vitin e dytë radhazi. Dhe kjo pikërisht ka ndodhur me Federatën e Basketbollit të Kosovës, sepse ashtu siç janë kërkuar raportet e detajuara nga FIBA Evropa, ashtu edhe i ka dorëzuar FBK dhe FIBA Evropa ka qenë shumë e kënaqur si me punën në terren nga FBK me këtë projekt, ashtu edhe me përmbylljen e raporteve. Federata e Basketbollit të Kosovës tash e tre vjet është në një projekt të përbashkët me katër Federata të tjera Nacionale si ajo e Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në kuadër të Fondit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja.

9 shtator 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në bazë të kompetencave të veta statutore sot ka marrë vendim për miratimin e kërkesës së KB Peja për inkuadrim në garën elitare të Superligës së Kosovës në basketboll në edicionin 2019-2020, si ekipi i nëntë garues. Miratimi i kërkesës së KB Peja është i kushtëzuar me heqjen e të gjitha ndalesave të regjistrimit të lojtarëve të rinj dhe paraqitjen e ekipit konkurrues për nivel të Superligës së Kosovës në basketboll deri në afatin e përcaktuar të afatit kalimtar.

12 shtator 2019

Nga 5 shtatori, një delegacion prej 20 personave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan në Kosovë, për tu njohur me historinë dhe basketbollin e Kosovës. Trajnerët dhe basketbollistët e rinj amerikanë kanë vizituar Prizrenin, Suharekën, si dhe disa vende të Kosovës, duke u njohur nga afër me historinë e vendit, por gjithashtu edhe me historinë e basketbollit të Kosovës, ku edhe janë pritur nga zyrtarët e Federatës, si dhe basketbollistët e Kosovës, Mikaile Tmusiq dhe Divine Myles.

19 shtator 2019

Pas përfundimit të Kampionatit Botëror në Kinë është publikuar renditja e re nga FIBA. SHBA mbetet në vendin e parë, duke u ndjekur nga Spanja, derisa Australia është ngritur në vendin e tretë për të përparuar tetë vende, kurse pasohet nga Argjentina dhe Franca. Kosova ka përparuar për 21 vende në renditjen e FIBA-s dhe tashmë ndodhet në vendin e 69-të. “Dardanët” kanë grumbulluar 124 pikë. Madje, Kosova është një nga vendet me ngritjen më të madhe në botë në bazë të renditjes së re. Belize është ngritur për 50 vende, Kosova dhe Togo nga 21 vende, Tunizia 18 dhe Bregu i Fildishtë 16. Pra, Kosova kishte ngritjen më të madhe nga shtetet evropiane, duke u ndjekur nga Qipro +15, Republika e Çekisë +14, Polonia +12 dhe Luksemburgu +11. Sa i përket renditjes për Evropë, Kosova ndodhet në vendin e 37-të.

20 shtator 2019

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina ka zhvilluar një ndeshje fantastike, por në fund është eliminuar nga Legia e Varshavës në  Basketball Champions League. Takimi ishte i vlefshëm për rrethin e parë kualifikues të kësaj gare. Përballja në Poloni ishte shumë interesante dhe bardhekaltrit janë eliminuar vetëm pas dy vazhdimeve, sepse koha e rregullt përfundoi 67:69 dhe ndeshja shkoi në vazhdime, pasi në kryeqytet kishin fituar polakët 79:81. Edhe në vazhdimin e parë skuadrat ishin të barabarta 7:7, derisa në atë të dytë vendasit fituan 11:7, për të triumfuar në fund me rezultat 85:83 (24:20, 18:19, 8:20, 17:10, 7:7, 11:7). Legia u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 166:162. Prishtina mori pjesë edhe në grupet e FIBA Europe Cup, ku kishin dy fitore dhe katër humbje.

 

 

21 shtator 2019

Më 21 shtator në palestrën e Kolegjit ISP në Marigona Rezidencë, para shumë trajnerëve kosovarë, ka ligjëruar trajneri i njohur turk, Ahmet Caki.Caki është trajner i njohur dhe me shumë përvojë në basketbollin turk dhe evropian. Seminarin për trajnerë e ka hapur Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku. Ajo u shpreh se është nder, që një trajner si Caki do të ligjërojë në Kosovë, derisa trajnerët kosovarë janë pjesë shumë e rëndësishme e FBK-së, derisa seminare të ngjashme do të organizohen edhe në të ardhmen.Trajneri turk ka ligjëruar gjatë ditës së shtunë, duke e shpalosur përvojën e tij para trajnerëve kosovarë, duke u përqendruar në aspektin mbrojtës dhe atë sulmues, por edhe gjëra të tjera që kanë lidhje me sportin e basketbollit.

24 shtator 2019

Klubi i Basketbollit Bashkimi ka fituar Superkupën e Kosovës te femrat, duke mundur Prishtinën 80:73 (23:15, 21:17, 22:16, 17:22), në takimin që u zhvillua në Rahovec. Basketbollistet e Bashkimit ishin më të mira në këtë përballje dhe me meritë arritën të triumfojnë në fund.

24 shtator 2019

Në një atmosferë të jashtëzakonshme para se më shumë se 3 mijë tifozëve, Sigal Prishtina ka fituar Superkupën e Kosovës për meshkuj. Bardhekaltrit në finale kanë mundur Rahovecin me rezultat 91:73, në një përballje fantastike që është zhvilluar në Rahovec, duke hapur kështu në mënyrën më të mirë edicionin e ri në basketbollin e Kosovës.

26 shtator 2019

Filloi edicioni i ri në Superligën e Kosovës në basketboll. Nëntë skuadra garojnë në elitë, ku gjashtë vendet e para hyjnë në “Play-off”, vendi i shtatë i Superligës do të luajë në “Play-out” me finalistin e Ligës së Parë, kurse dy skuadrat e fundit të Superligës do të bien në Ligën e Parë.

Edhe në edicionin 2019-2020, të gjitha ndeshjet e Superligës do të transmetohen në platformën Art Motion, që vazhdon të jetë afër basketbollit të Kosovës. 36 xhiro, “Play-off”-i, me shumë derbi, me shumë emocione, me shumë aksione të bukura dhe me shumë tifozë, mund t’i ndiqni ekskluzivisht në Art Motion. Federata e Basketbollit e Kosovës i falënderon për kontributin që po e japin për basketbollin e Kosovës.

30 shtator 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës do të vazhdojë me punën intensive në masovizimin e basketbollit femëror ndër gjenerata të reja, falë edhe mbështetjes nga FIBA Evropa, Departamenti i Shtetit Amerikan (Sports Diplomacy) dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Kosovës. FBK ka vendosur që në edicionin e ri të garave Liga U14 të zhvillohet në formë të turneve dhe në formë të aktiviteteve të ndryshme që do të jenë mjaft atraktive në mënyrë që vajzat e reja të motivohen sa më shumë për të luajtur basketboll. Në Ligën U14 marrin pjesë 4 ekipe: Kerasan Prishtina, Junior 06, Peja DT dhe Kastrioti, derisa FBK i inkurajon dhe i fton të gjitha ekipet dhe shkollat e basketbollit që kanë vajza të kësaj gjenerate të paraqiten në ndërkohë në rast se dëshirojnë të marrin pjesë në këtë ligë në formë të turneve. Liga U14 do të zhvillohet në frymën e kampanjës “Her World, Her Rules” që është pjesë e programit FIBA Europe Girls Program. Liga U14 e Vajzave, por edhe të gjitha ligat e kategorive të reja sponsor gjeneral e kanë kompaninë “STOBI FLIPS KOSOVA”.

Tetor-Nëntor

Kampionia e Kosovës për femra, Mabetex Prishtina për herë të parë mori pjesë në garat e FIBA EuroCup Women. Në grupe vashat prishtinase u ndeshen me Besiktas-in, Sparta dhe MBA Moscow. Edhe pse nuk arritën fitore, kjo ishte një përvojë për skuadrën prishtinase që për herë të parë mori pjesë në gara të tilla.

4 tetor 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që të vazhdojë t’i shpërblejë klubet e Superligës së Kosovës dhe Superligës së Femrave për rezultatet e arritura në edicionin 2019/20. Por që kësaj radhe risia është se Bordi i FBK-së ka vendosur ta shtojë edhe një fond të shpërblimeve për Superligën e Kosovës konform Rregullores mbi të Drejtat dhe Transmetimet Audio Vizuale, e që ky fond është siguruar nga të hyrat nga të drejtat audio vizuale të Superligës së Kosovës, më saktësisht nga partneri medial i FBK-së, kompania ART MOTION, me të cilin FBK-ja ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe me të cilin kanë hyrë në vitin e dytë të bashkëpunimit. Nga fondi i shpërblimeve të FBK-së skuadra kampione e elitës së basketbollit kosovar do të vazhdojë të shpërblehet me 12,000.00 euro, ndërsa ekipit nënkampion do t’i takojnë 6,000.00 euro. Skuadrat që do të arrijnë të sigurojnë nga një vend në katërshen e madhe të elitës së basketbollit kosovar do të shpërblehen me nga 3,000.00 euro. Skuadra kampione në Superligën e Femrave do të shpërblehet me shumën 4,000.00 euro.

7 tetor 2019

Departamenti i Shtetit Amerikan i ka bërë ftesë Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që kjo e fundit ti dërgojë në SHBA, pesë vajza të moshës 15 deri në 18 vjeç dhe një trajnere në vitin e ardhshëm në kuadër të Programit të Vizitorëve të këtij Departamenti. “Për shkak të implementimit të Planit të Veprimit nga ana e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, plan të cilin ajo e kishte paraqitur në fund të programit GSMP në vitin 2017, e që kishte të bëjë me fuqizimin e femrës në sport në Kosovë, ne ju kemi identifikuar si burim për të na ndihmuar në përzgjedhjen e pjesëmarrëseve të ardhshme në kuadër të Programit të Vizitorëve të vitit të ardhshëm në SHBA. Zyra jonë është duke e përcjell me vëmendje të madhe punën e alumni të programit GSMP, me shpresën për t’ju mbështetur në nismat tuaja sportive dhe për komunitetin, dhe në këtë mënyrë edhe për të lidhur rrjetin tonë të diplomacisë sportive, si dhe për të shpërndarë këto përvoja edhe tek vajzat e reja”, thuhet ndër të tjera në ftesën e dërguar nga Departamenti i Shtetit Amerikan në adresë të FBK-së.

9 tetor 2019

Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Rahoveci është mundur nga Cluj edhe në ndeshjen e kthimit në kualifikimet e FIBA Europe Cup. Vreshtarët pësuan në Rumani me rezultat 91:47 (22:18, 29:8, 21:5, 19:16) dhe u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 189:120.

9 tetor 2019

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe menaxherja e zyres ekzekutive të FBK-së, Artina Hasani të mërkurën morën pjesë në Konferencën “Barazia Gjinore dhe Diversiteti” të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Solidariteti Olimpik. Konferenca u organizua në ambientet e hotel “Swiss Diamond” në Prishtinë, ndërsa morën pjesë zyrtarët më të lartë të KOK-ut, Departamentit të Sporteve të Kosovës, udhëheqës të Federatave Sportive në Kosovë, zyrtarë të Drejtorive të Sportit të Komunave, si dhe përfaqësues të mediave në vendin tonë. Konferenca është zhvilluar në formë panelesh, ndërsa në njërin nga panelet ishte pjesëmarrëse edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila ndër të tjera tha: “Në vitin 2017 kur edhe është organizuar kjo Konferencë për herë të parë, unë gjithashtu kam qenë paneliste dhe atëbotë kam folur për statistikat dhe numrin e basketbollisteve, trajnereve, refereve, që ka qenë dukshëm larg prej asaj çka do të flas sot”, deklaroi ndër të tjera Dushku.

14 tetor 2019

Federata e Basketbollit e Kosovës ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit të Maqedonisë Veriore. Memorandum Bashkëpunimi është nënshkruar nga krerët e të dyja Federatave, Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së dhe Pero Antiç, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë Veriore.

29 tetor 2019

Në Mies të Zvicrës është hedhur shorti për Raundin e Parë të para-kualifikimeve për FIBA Kupën e Botës 2023. Kosova do të jetë në Grupin B, së bashku me Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun. Takimet do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, pra, Kosova do të luajë gjashtë ndeshje në grup. Ndeshjet do të zhvillohen gjatë periudhës 17-25 shkurt 2020, 23 nëntor-1 dhjetor 2020 dhe 15-23 shkurt 2021. Dy Kombëtaret e para të grupit do të kualifikohen në Raundin e Dytë.

2-6 nëntor:

Gazetarët, veteranët, klubet dhe trajnerët kanë pasur takime me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu dhe e kanë përkrahur për themelimin e Qendrës Kombëtare të Basketbollit. Grupet e Interesit kanë thënë se janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre për këtë projekt.

10 nëntor 2019

Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur në Cologne të Gjermanisë në rendi të ditës i ka pasur edhe kandidaturat e shteteve anëtare të saj që kanë aplikuar për organizimin e Kampionateve Evropiane për gjeneratat U16, U18, U20 në të dyja konkurrencat (meshkuj dhe femra) dhe në të gjitha Divizionet, A, B dhe C. Bordi i FIBA Evropës e ka miratuar kandidaturën e Federatës së Basketbollit të Kosovës për organizimin e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C. FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni C do të mbahet prej 11 deri më 19 Korrik 2020 në Prishtinë dhe do të marrin pjesë 11 shtete: Kosova, Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Malta, Moldavia, Skocia, Gjibraltari, San Marino dhe Uellsi.

19 nëntor 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës më 18 nëntor ka marrë vendim për emërimin e përzgjedhësve për Përfaqësueset e reja të Kosovës. Përzgjedhës i Kosovës U20 në konkurrencën e meshkujve është emëruar Mark Rodiqi, derisa i Kosovës U18 tek meshkujt do të jetë Bekim Maxhuni, kurse Dritëro Sefaja është emëruar përzgjedhës i Kosovës U16 te meshkujt. Trajneri i Bashkimit në konkurrencën e femrave, Furkan Saglik është emëruar përzgjedhës i Kosovës U20 (femrat), derisa Edin Kërveshi do të jetë përzgjedhës i Kosovës U16 (femrat).

29 nëntor 2019

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku janë pritur në një takim pune në Shtëpinë e Basketbollit në Mies të Zvicrës nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis. Ftesa për këtë takim në drejtim të krerëve më të lartë të FBK-së kishte ardhur javë më parë nga z. Zagklis, i cili para një viti e kishte marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s dhe në këtë mënyrë ka shprehur dëshirën për të dëgjuar më për së afërmi për punën që FBK po e bën për zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Në këtë takim Fetahu dhe Dushku kanë marrë lëvdata për punën e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja dhe në veçanti në masovizimin e basketbollit ndër vajza të reja nëpërmjet projekteve mbështetëse nga FIBA.

2 dhjetor 2019

U zhvillua ndeshja humanitare ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Kosovës, që përbëhej nga lojtarë të Superligës.Rezultati në këtë ndeshje ishte në plan të dytë, derisa të gjitha të hyrat nga kjo ndeshje kanë shkuar për familjet e të prekurve nga tërmeti në Shqipëri.Sa i përket ndeshjes ajo ishte mjaft e bukur, kurse lojtarët në parket dhuruan aksione atraktive. Në fund fitoi Kosova 87:86.

6 dhjetor 2019

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) në fund të vitit ka vendosur ta shpërblej Federatën e Basketbollit të Kosovës për punën e shkëlqyeshme që kjo e fundit e ka bërë gjatë vitit 2019 për zhvillimin e basketbollit në vendin tonë. Në fakt ka qenë FIBA Evropa që e ka nominuar FBK-në në mesin e dy Federatave Nacionale të Evropës për të qenë fituese e 300 topave Molten (të madhësisë 4, 5 dhe 3×3) për të inkurajuar FBK-në që të vazhdoj me punën e shkëlqyer që po e bën e veçanarisht me të rinjtë. Topat do të dërgohen nga IBF (Fondacioni Ndërkombëtar i Basketbollit) që funksionon në kuadër të selisë qendrore të FIBA-s në Gjenevë. Ky fondacion është përgjegjës për zhvillimin dhe masovizimin e basketbollit ndër të rinj, kryesisht Mini-Basketball nëpër të gjitha vendet e botës.

7 dhjetor 2019

Bashkimi ka shënuar fitoren e dhjetë nga dhjetë ndeshje të zhvilluara, duke mundur Penzën në udhëtim me rezultat 50:78 (13:22, 14:18, 12:21, 11:17). Kjo ishte fitorja e dhjetë për vashat prizrenase që përmbyllën stinorin vjeshtor pa asnjë humbje, duke qenë e vetmja në elitën e femrave pa humbje. Mabetex Prishtina u rendit në vendin e dytë me tetë fitore dhe dy humbje.

10 dhjetor 2019

Në Freising të Gjermanisë është hedhur shorti për Përfaqësueset e reja në basketboll. Kosovën e kanë përfaqësuar Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe Drejtori i Përfaqësueseve, Granit Rugova. Kosova U20 (M) do të jetë në Grupin D së bashku me Bullgarinë, Bjellorusinë, Sllovakinë, Finlandën dhe Irlandën. Kosova U18 (M) do të jetë në Grupin D me Maqedoninë Veriore, Suedinë, Danimarkën, Letoninë dhe Bjellorusinë. Kosova U16 (M) do të jetë në Grupin B me Shqipërinë, Armeninë, San Marinon, Gjibraltarin dhe Maltën. Kosova U20 në konkurrencën e femrave do të jetë në Grupin C me Gjermaninë, Zvicrën dhe Ukrainën. Kosova U16 në konkurrencën e femrave do të jetë në Grupin C me Rumaninë, Sllovakinë, Poloninë, Maqedoninë Veriore dhe Irlandën.

21 dhjetor

Sigal Prishtina u shpall kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtinasit nga gjashtë ndeshje të zhvilluara kanë shënuar 13 fitore dhe pësuan tri humbje. Bardhekaltrit grumbulluan 29 pikë, dy më shumë se Rahoveci dhe Bashkimi. /Lajmi.net/