Ngërçi politik sjellë pasoja të mëdha në procesin e integrimeve
Ngërçi politik në vend ka bërë që institucionet e Kosovës të mos përballen me shumë sfida që lidhen me procesin e integrimit europian, konkretisht çështjet që lidhen me marrëveshjen e stabilizim asocimit dhe shumë procese tjera.

Lajme
Sipas analistëve politikë, e gjithë kjo ka ndodhur në mungesë të krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit.
Analisti Dren Doli ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vonesa e gjatë për krijimin e institucioneve të reja të do t’i sjellë Kosovës pengesa të mëdha, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen e afërt.
“Kosova në këtë fazë përballet me shumë sfida, sfidat më të rëndësishme dhe të nevojshme që Kosova t’i adresojë në këtë periudhë të shkurtër dhe në pamundësi të një qeverie efektive dhe efikase, lidhen me procesin e integrimit evropian”.
“Konkretisht këto janë çështje që kanë të bëjnë me marrëveshjen e stabilizim asociimit, kriteret e paplotësuar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe çështjet tjera të rëndësishme për funksionimin e institucioneve shtetërore të Kosovës”, ka thënë ai.
Mos konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë së re të Kosovës, sipas Dolit, do të reflektohet edhe në raportet tjera ndërkombëtare, sidomos ato të Bashkimit Evropian.
Sipas Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim, ngërçi politik mund të thellohet edhe më shumë nëse çështja nuk zgjidhet deri në fund të gushtit.
“Tani kemi një rrezik ku ngërçi mund të thellohet edhe më tutje nëse çështja nuk zgjidhet deri në fund të gushtit dhe ju skadon mandatit edhe anëtarëve të gjykatës kushtetuese, të paktën në mund të hyjmë në një situatë kur shumë pak institucione kanë legjitimitet politik”, thotë Malazogu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Malazogu shtoi se liderët politikë duhet të tregohen të pjekur dhe këtë situatë ta tejkalojnë vet, pasi që nëse kjo nuk do të tejkalohet, do të jetë një njollë negative për vendin.
“Në mund të arrijmë serish në një situatë, kur Bashkësia Ndërkombëtare do t’i ulë të gjithë liderët politikë dhe të gjejë një kompromis. Kjo do të ishte një shenjë që Kosova nuk është vend i pjekur. Pra ky është testi kryesor nëse ne do të kalojmë këtë më pjekuri politike, duke e shikuar interesin e vendit apo interesat e partisë”, shton Malazogu. (REL)