Ngërçi politik nuk lejon zgjedhje të reja

Vonesa e zgjedhjes së kryeparlamentarit, sado që të zgjasë, nuk përbën rrethanë kushtetuese për të shpallur zgjedhjet e reja nacionale, ndërsa pa u përmbyllur procesi i konstituimit të Kuvendit nuk do të mund të procedohet me seancë të re plenare për votimin e Qeverisë.

Lajme

26/08/2014 09:19

Sipas nenit 82 të Kushtetutës, vetëm në këto katër raste mund të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme: nëse brenda afatit prej 60 ditësh prej kur presidenti cakton mandatarin, nuk mund të formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve; nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti; dhe nëse kalon votimi i suksesshëm i mosbesimit të Qeverisë, shkruan Koha Ditore.

Pavarësisht kësaj dispozite, të dyja kampet politike – PDK-ja që ka dalë fituese e zgjedhjeve dhe koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma që ka shumicën në Kuvend – kanë kërcënuar me zgjedhje të reja nëse nuk lëshohet pe për kryeparlamentarin dhe për Qeverinë.

Kushtetuesja ia ka njohur të drejtën PDK-së për ta propozuar kryeparlamentarin, por nuk i ka numrat për ta votuar.

Ndërkaq, koalicioni paszgjedhor vazhdon të insistojë se PDK-së nuk do t’i lihet pushtet në ekzekutiv dhe as nuk do t’i mundësohet ta drejtojë Kuvendin.