Ngërçi bllokon edhe Këshillin Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës që është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore, aktualisht është duke u përballur me pengesa pasi që nuk është i kompletuar me anëtarët e saj.

Lajme

12/11/2014 10:41

Ky këshill sipas Kushtetutës, do të duhej të kishte 13 anëtarë, por ka funksionuar deri tash me 11 anëtarë.

Që nga 31 korriku i këtij viti, Këshilli ka mbetur pa kuorum pasi pesë anëtarëve, vendorë dhe ndërkombëtarë, u ka kaluar mandati.

Si pasojë e mungesës së anëtarëve, shumë procese kanë mbetur pa përfunduar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.

Ai tha se anëtarët e këshillit që deri tash do të duhej të zgjidhen nga deputetët e Kuvendit, po paraqesin problem.

“Prej asaj date ( 31 korrik ) ne nuk mund të marrim kurrfarë vendimi mes tjerash edhe për emërimin e gjyqtarëve”, ka shpjeguar Peci.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar.

Tetë anëtarë i emëron Kuvendi, dhe aktualisht janë duke punuar tre anëtarë që kanë mandat ende.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, ka thënë se pavarësisht disa pengesave, tani është duke u punuar për intervistimin e kandidatëve për gjyqtarët e nivelit të gjykatave themelore, por nëse nuk ka konstituim te institucionet, problemet do të jenë evidente.

“Nëse vazhdon ky ngërç politik dhe moskonstituimi i parlamentit dhe i organeve të tjera, me të vërtetë neve ka për të na sjellë në situatë të palakmuar”, ka theksuar Peci.

Peci ka përmendur edhe çështjen e përfundimit të mandatit të disa gjyqtarëve muajin e ardshëm dhe problemet që mund të paraqiten për emërimin e tyre të përhershëm.

“Është një situatë edhe më e pakëndshme që në muajin dhjetor disa gjyqtarë që kanë qenë të emëruar me mandat të përkohshëm tri vjet, do të thotë me emërimin fillestar, ju përfundon mandati edhe përkundër asaj që komisionet tona për vlerësim e punës së tyre do ta përfundojnë procesin. Nuk kemi mundësi t’i propozojmë te presidentja për emërime të përhershme”, tha Peci.