Ngadhnjim Kastrati përjashtohet nga Bordi i AGK-së

Ngadhnjim Kastrati, i cili ditë më parë u zgjodh kryeredaktor në RTK, por që u kontestua nga shumica e redaktorëve, të cilët edhe protestuan, nga sot nuk është anëtar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Lajme

05/03/2015 17:33

Përmes një njoftimi për media, AGK thotë se largimi i Kastratit nga Bordi ka ardhur për shkak të mungesës së tij në mbledhjet e rregullta.

AGK sqaron se nuk ngërhyn në politikat redaktuese të mediave dhe organizimin e brendshëm të tyre por thotë se përfaqëson vetëm gazetarët.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të AGK-së:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në kuadër të riorganizimit dhe forcimit të statusit të gazetarëve në Kosovë, vazhdon përmbushjen e misionit që të promovojë dhe të përmirësojë rolin e gazetarëve, avancojë standarde të larta profesionale si dhe të avokojë për të drejtat e gazetarëve dhe të sigurojë mjedis të sigurt pune.

AGK si organizatë e angazhuar për të përmirësuar lirinë e fjalës dhe shprehjes në Kosovë, nga maji i vitit të kaluar udhëhiqet nga bordi i ri i zgjedhur në Kuvendin e jashtëzakonshëm, kur edhe ka pësuar një ristrukturim organizativ dhe të lidershipit.

Anëtarët e Bordit të AGK-së, të zgjedhur në bazë të statutit, po japin maksimumin për kthimin e besimit të gazetarëve në AGK dhe krijimin e mekanizmave brenda asociacionit që do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë.

Bordi i AGK-së falënderon anëtarin e deritashëm, Ngadhnjim Kastrati, për angazhimin dhe kontributin e dhënë në përmbushjen e misionit të kësaj organizate.

Për shkak të angazhimeve të tij dhe mungesës për disa herë radhazi në mbledhjet te rregullta të bordit, z. Kastratit i ka pushuar mandati në Bordin e AGK-së, sipas statutit të AGK-sëm neni 8.4, dhe ai është liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë në Asociacion.

Në bazë të statutit, anëtarët e bordit zëvendësohen nga anëtarët në pritje, të votuar në Kuvendin e fundit të përgjithshëm të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Njëherësh AGK dëshiron të qartësoj për të gjithë anëtarët e vet se përfaqëson vetëm gazetarët anëtar dhe asnjëherë nuk do të jetë pjesë e debateve që kanë të bëjnë me politikat redaktuese të medieve dhe organizimit të brendshëm të tyre.