Nga Veriu, pa Dashuri

Aty ku fjala “bojkot” është e pranishme gjithkund dhe ku politikanët serbë nuk pranojnë të flasin me gazetarë francezë; sepse Franca e ka njohur Kosovën e pavarur. Le Monde sjell një reportazh nga Mitrovica e Veriut.

Lajme

01/11/2013 15:08

Në Prishtinë, posterët e ndritshëm paraqesin kandidatët për zgjedhjet lokale të së dielës së 3 nëntorit. Në Mitrovicë, janë afishet e kudondodhura të cilat bëjnë thirrje për të votuar kandidatët e shumtë, në pjesën jugore, me shumicë shqiptare. Në pjesën tjetër të urës, matanë lumit Ibër, në pjesën serbe të qytetit, duket se garon vetëm një kandidat “bojkoti”. Kjo fjalë është e vendosur gjithkund, nëpër afishe të ngjitura nëpër dyqane. Afishet “bojkot” kanë mbuluar të gjithë posterët që kanë ngjitur subjektet që marrin pjesë në zgjedhje.

Mjedisi është i tendosur. Tri sulme kanë ndodhur për më pak se një javë kundër kandidatëve: dy me mjete eksplozive dhe një me hedhje granate. Shumë shpërthime kanë ndodhur gjatë tetorit. Afishet janë pa nuanca: “Me bojkot, ti ke shpëtuar”, “Thuaj JO zgjedhjeve të shqiptarëve, thuaj Jo zgjedhjeve të separatistëve”. Afishe të tjera elaborojnë mesazhin: “Vota nënkupton humbjen e lirisë, njohjen e pavarësisë së Kosovës, humbjen e vendit të punës dhe zhdukjen e serbëve të Kosovës”.

Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së vendit, në vitin 2008, komunat e veriut të Kosovës kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhje të organizuara. Në vitin 2009, serbët e jugut kishin marrë pjesë në zgjedhje, por jo edhe 40 mijë banorë të pjesës veriore, e cila kufizohet me Serbinë.

Por, Beogradi ka ndryshuar strategjinë, duke nënshkruar marrëveshjen në Bruksel me Qeverinë e Kosovës në prill të këtij viti, e cila mundëson normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëveshja parasheh një decentralizim të pjesës veriore.

Organizimi i zgjedhjeve lokale në tërë territorin, përfshirë edhe pjesët e banuara me serbë, është një element çelës. Marrëveshja parasheh sidomos themelimin e një asociacioni të katër komunave serbe të veriut, në kuadër të ligjit të Kosovës.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, ndryshimi i doktrinës së Beogradit vështirë të kalojë. Që nga viti 2008 territori jeton sikur në një fortesë të rrethuar. Nuk ka kontroll për ta kaluar urën mbi Ibër, por barrikadat e dheut dhe gurëve paraqesin një kufi joformal, mbi dy urat nga të cilat kalohet nga njëra anë e qytetit në tjetrën. Veturat pa targa gjarpërojnë nëpër trotuar për t’i kaluar pengesat dhe për të dalë në pjesën shqiptare. Nuk është mirë të qarkullosh në veri me targa kosovare dhe ne jug me targa serbe, edhe gati 15 vjet pas përfundimit të luftës. Aty flitet serbisht, shkruhet në cirilicë dhe paguhet me dinarë, ndërkohë që në pjesën jugore, valuta është euro. Politikisht, ekonomikisht, rajoni është kthyer kah Beogradi, e jo kah Prishtina.

Kryeministri serb Ivica Dacic ka ardhur në Kosovë në një vizitë zyrtarisht të cilësuar si “fetare” në manastirin e Graçanicës, për t’u bërë thirrje serbëve të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim “që t’i mbroni interesant tona kombëtare”. Patriku i Kishës ortodokse Irinej, u ka bërë thirrje serbëve që të votojnë: “Do të ishte tragjike nëse serbët bojkotojnë zgjedhjet në vendet ku ata mund të përbëjnë shumicën”. Ai ka qenë kritik sidomos ndaj grupeve të ekstremit djathtist që favorizon bojkotin.

Përfaqësuesit e partisë serbe në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, bëjnë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, por zëri i atyre që thërrasin për bojkot është më dominues. Një sondazh i realizuar nga UNDP tregon që 43.5 % e kosovarëve të veriut deklaruan se nuk do të votojnë, ndërsa 23 përqind janë të pavendosur. Vetëm 15.8 % kanë thënë se janë të sigurt se do të dalin në zgjedhje dhe 16.5 % kanë thënë se “ndoshta do të votojnë”.

Në sheshin kryesor në Mitrovicën e veriut, selia e Partisë Demokratike të Serbisë, e cila apelon për bojkot, është e mbuluar me afishe kundër procesit zgjedhor. Deputeti marko Jaksic refuzon të përgjigjet në pyetjet tona: “Shteti juaj e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Refuzoj të flas me ju”, thotë Jaksic.

“Me duhet të luftoj kundër konkurrentit tim kryesor për postin e kryetarit të Komunës dhe, në fakt, duhet sidomos të luftoj kundër kundërshtarëve të zgjedhjeve”, ankohet Oliver Ivanovic, kandidat i Partisë Social Demokrate Serbe dhe ish Sekretar i Shtetit në Qeverinë e Serbisë për Kosovën.

Ai duhet të bëjë vend gjithashtu në mesin e shumë kandidatëve që përfaqësojnë pakicat e të gjitha etnive ose lëvizjeve të ndryshme qytetare që përbëjnë një listë. Sondazhet e bëra nga OKB tregojnë se më shumë se 50 % e kosovarëve në veri nuk janë të sigurt se i njohin kandidatët as partitë që garojnë në këto zgjedhje lokale.

Për qeverinë kosovare si për observatorët perëndimorë, një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje nuk do t’i bënte zgjedhjet të dështojnë. Oliver Ivanovic, nga ana e tij, ka një shqetësim të cilin ai e gjykon të pamundshëm për t’u realizuar: që nëse pjesëmarrja e serbëve është e ulët, atëherë votat e kandidatëve të shqiptarëve që janë pakicë (rreth 2000 veta) do të arrijnë ta zgjedhin një shqiptar në krye të komunës në veri.

(Le Monde)