Nga Shkupi në Prishtinë për 45 minuta – nis sivjet ndërtimi i autostradës në anën e Maqedonisë

Muajin e ardhshëm do të publikohet tender për ndërtimin e aksit të parë të autostradës Shkup – Bllacë, ndërsa punimet ndërtimore pritet të fillojnë në kuartalin e dytë të këtij viti, publikuan sot në konferencë shtypi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Transportit, Goran Suagreski dhe drejtori i NP për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov.

Lajme

11/01/2019 13:16

Me ndërtimin e autostradës në gjatësi prej 12,5 kilometra dhe vlerë investuese prej 110 milionë euro, pritet udhëtimi midis Prishtinës dhe Shkupit të shkurtohet prej dy orë në 45 minuta.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se bëhet fjalë për projekt strategjik për Maqedoninë dhe se Kosova është tregu më i lirë dhe më përkatës eksportues për shtetin.

“Këmbimi vjetor tregtar me Kosovën është rreth gjysmë miliardë euro me ç’rast Maqedonia ka suficit të konsiderueshëm. Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi autostradë që të munden tregtarët tanë ta dërgojnë mallin në Kosovë”, tha Osmani duke shtuar se projekti është me rëndësi të madhe rajonale si pjesë e agjendës për lidhje në kuadër të Procesit të Berlinit.

Për aksin e parë prej 1,9 kilometrash deri më datën 20 të këtij muaji duhet të përfundojë projektimi i plotë, pas çka do të pasojë publikimi i tenderit. Kjo pjesë e autostradës duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Në mënyrë paralele me aktivitetet e fazës së parë do të punohet në projektimin e fazës së dytë nga hyrja në Bllacë deri në hyrjen në Stenkovec në Shkup në gjatësi prej 10,5 kilometra. Për të është paraparë të publikohet tender në kuartalin e parë të vitit të ardhshëm, pas çka në kuartalin e dytë do të fillonin punimet ndërtimore. Ndërtimi i plotë i aksit pritet të përfundojë nga mesi i vitit 2023.

Siç sqaroi ministri Sugareski është duke u bërë riprojektimi nëpër të gjithë aksin për shkak të problemeve me të cilat janë ballafaquar përgjatë gjithë trasesë në pjesën e tjetërsimit të tokës dhe tek projekti kryesor për ndërtim. Është përcaktuar se duhet të bëhet riprojektimi për shkak të nevojës së zhvendosjes së pjesëve nga traseja e projektit kryesor. Në trasenë e paraparë me projektin e vjetër ka kapacitete industriale dhe varreza të sapoformuara.

Projekti për tunelin, informoi Sugareski, nuk i plotëson standardet ndërkombëtare vijuese për ventilim dhe sisteme për mbrojtje nga zjarri dhe evakuimi dhe është i nevojshëm riprojektim. Njëherësh nuk janë kryer hulumtime gjeoteknike detajuese. Konsulentët kanë rekomanduar që kjo të bëhet në kuadër të projektit të ri duke e pasur parasysh topografinë dhe numrin e tuneleve dhe objekteve në autostradë.

“Këto janë sfida të cilat do të tejkalohen këtë vit. Fazën e parë do ta fillojmë këtë vit, ndërsa faza e dytë fillon në vitin 2020″, theksoi Sugareski duke theksuar se bëhet fjalë për projekt me rëndësi rajonale.

Drejtori i NP për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov sqaroi se aksi i parë është ndarë si tërësi e veçantë funksionale e cila mund të realizohet më shpejtë, pasi terreni nuk është i vështirë për zbatime, nuk ka tunele dhe është në afërsi të VK Bllacë dhe Terminalin doganor. Aksi i dytë prej udhëkryqit Bllacë deri në udhëkryqin  Stenkovec në Shkup është më e vështirë për t’u projektuar dhe për t’u zbatuar. Në të janë paraparë katër tunele në gjatësi prej rreth 4 kilometra, tetë ura si edhe objekte të tjera në rrugë në gjatësi prej 1,2 kilometra dhe objekte të tjera”, informoi Kitanov, duke theksuar se si edhe në autostradat e tjera edhe kjo do të ketë taksa për pagesë në rrugë, transmeton “MIA”.

Siç tha Osmani në përgjigjen për pyetjen e gazetarëve, emri i autostradës së re akoma nuk është përcaktuar ndërsa në bisedat joformale me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti është theksuar emri i Arbër Xhaferit siç është emëruar edhe autostrada në Kosovë. Për këtë çështje tha Osmani, do të bisedohet shtesë në Qeveri.

Për rrugën ekzistuese shtetërore A4 Bllacë – Shkup është duke u përgatitur projekt për rehabilitim dhe sipas paralajmërimeve të NP për Rrugë shtetërore vitin e ardhshëm do të bëhet rehabilitim i plotë. Në të ardhmen kjo rrugë do të mbetet të funksionojë si rrugë alternative i vendimit të ri të autostradës.